
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka refuzuar kërkesën e kreut të grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, për zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me pesë kërkesat e paraqitura nga protestuesit.
“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave.
Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.
Pas refuzimit të kërkesës për interpelancë urgjente me kryeministrin, kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po mbron kryeministrin Edi Rama nga llogaridhënia parlamentare.
Në fjalën e tij në Kuvend, Bardhi e cilësoi vendimin e Peleshit si një refuzim jo vetëm ndaj opozitës, por edhe ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj.
Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë.
Ju sot zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin. Rama është peng i krimeve shtetërore dhe besoj se e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse është peng i sistemit që ka ndërtuar vetë.
Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer që e bën duke shitur copa të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Më pas, ai vendosi celularin te mikrofoni i podiumit për t’i treguar kryeministrit kërkesën e “shumicës së qytetarëve që protestojnë prej 30 ditësh” duke luajtur një video ku dëgjohej fraza “Rama jepe dorëheqjen.”
“Arkend, në burg do të shkojnë Troplinët, ato që të kanë sjellë ty këtu. Uroj shumë t’u shkosh nga mbrapa”, përfundoi ai.