Vendosni fjalën kyçe....

Rosindell-Ramës: Pse kaq shumë të rinj shqiptarë duan të largohen nga vendi


Deputeti britanik dhe ish- ministri në hije për Punët e Jashtme, Andrew Rosindell në një postim në X u shpreh se Rama është i lirë të komentojë për Britaninë, ashtu siç ai është i lirë të komentojë për Shqipërinë. Ai u shpreh se gjatë një vizite në Tiranë vitin e kaluar kishte biseduar me shumë të rinj shqiptarë, të cilët i kishin thënë se dëshironin të largoheshin nga vendi.

Rosindell kujtoi gjithashtu se në vitin 2022 shqiptarët përbënin grupin më të madh të emigrantëve që mbërritën ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, duke ngritur pyetjen se pse kaq shumë të rinj ndihen të detyruar të largohen nga Shqipëria.

“Kryeministri Rama është i lirë të komentojë për Britaninë, ashtu siç jam edhe unë i lirë të komentoj për Shqipërinë. Vitin e kaluar bisedova me shumë të rinj shqiptarë në Tiranë, të cilët më thanë se donin të largoheshin nga vendi – diçka që do të bëhet edhe më e mundur me hyrjen e Shqipërisë në zonën Schengen.

Në vitin 2022, shtetasit shqiptarë përbënin grupin më të madh që mbërrinte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Pyetja e vërtetë është pse kaq shumë të rinj shqiptarë ndienin se duhej të largoheshin nga vendi i tyre.

Unë do të pranoj leksione për sovranitetin nga populli britanik, jo nga një kryeministër i huaj. Brexit kishte të bënte me vetëqeverisjen demokratike dhe ky parim mbetet po aq i rëndësishëm sot sa ka qenë gjithmonë.”