Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria shpall ‘non grata’ për 15 vite Ikballe Hudutin, Lamallari: Veprimtaria e saj cenon sigurinë kombëtare


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” të Ikballe Hudutit (Berisha), për një periudhë 15-vjeçare.

Burime për Report TV bëjnë me dije se vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga autoritetet, sipas të cilave veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin dhe sigurinë publike në vend.

Urdhri i ministrit Lamallari i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Sipas autoriteteve, Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të ajatollahëve dhe për deklarata publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Ajo është shfaqur më herët edhe në krah të ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.

Vendimi vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri Edi Rama reagoi për pjesëmarrjen e saj në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke publikuar një fotografi të Hudutit pranë Ahmadinejadit.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmadinejadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës,” shkroi Rama.

Ikballe Huduti kishte marrë pjesë në protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë ditëve të fundit, ndërsa autoritetet shqiptare kanë argumentuar se vendimi për shpalljen e saj “person i padëshiruar” lidhet me vlerësimin se aktiviteti i saj përbën rrezik për interesat e sigurisë së Republikës së Shqipërisë.