Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas vendimit të Marjana Koçekut për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë veprim si një keqpërdorim të mandatit të marrë falë mbështetjes së socialistëve.
Përmes një reagimi publik, Ndreu shprehet se është krejt normale që një person të ndryshojë bindje politike ose të mos e gjejë më veten në një forcë të caktuar politike, por sipas tij, në këtë rast është cenuar besimi i dhënë nga Partia Socialiste.
“Malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë, as abuzuar kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt. Kushdo, në kushte e rrethana të tjera, mund të ndryshojë mendim apo ide, mund të mos e gjejë më veten ose të mos përputhet me një forcë politike. Kjo është krejt normale,” shkruan Ndreu.
Ai thekson se Koçeku u vendos në krye të listës politike të qarkut të Shkodrës pa pasur më parë kontribute politike dhe se, sipas tij, kjo duhet të shoqërohej me përgjegjësi morale.
“Por nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret. Heqja dorë nga mandati i marrë në sajë të votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte miken time, Marjana Koçeku,” vijon ai.
Ndreu shton se largimi i saj nuk përbën problem për Partinë Socialiste, por e konsideron një shkelje të besimit politik.
“Kjo nuk është dramë për PS-në, por është shkelje besimi, për sa kohë që keqpërdoret mandati i dhënë politikisht nga PS,” deklaron ai.
Në fund të reagimit, kryebashkiaku i Lezhës apelon për respektimin e vlerave tradicionale dhe morale.
“Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit: aty ku ha bukë, mos përmbys kupë,” përfundon Ndreu.
