Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestat që prej 13 ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si një lëvizje qytetare dhe rinore që shkon përtej partive politike.
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se protestat kanë lindur nga pakënaqësitë qytetare dhe janë shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Prej 13 ditësh, Tirana dhe Shqipëria po njohin lëvizjen rinore qytetare më të jashtëzakonshme, më të paprecedentë dhe më madhështore në historinë e tyre. Kjo lëvizje është përtej partive politike dhe në thelb përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës dhe narkoshtetin e tij,” u shpreh Berisha.
Ai tha se protesta nisi pas ngjarjeve në Zvërnec dhe mungesës së transparencës për projektet e zhvillimit në zonë, por sipas tij tashmë është kthyer në një revoltë më të gjerë kundër qeverisjes.
Berisha komentoi edhe aktivitetin e zhvilluar një ditë më parë nga Partia Socialiste me rastin e 35-vjetorit të themelimit të saj, duke e ironizuar atë.
“Mitingu i djeshëm i Partisë Socialiste ishte një elegji, një tubim funebër politik,” deklaroi kreu i PD-së.
Në fjalën e tij, Berisha falënderoi administratën amerikane dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio për vendimin e heqjes së shpalljes së tij “non grata”, duke e cilësuar atë si korrigjim të një padrejtësie.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të opozitës të mobilizohen për, sipas tij, rikthimin e votës së lirë dhe garantimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.
