Një operacion i gjerë policor i koduar “Stolen Gold” ka çmontuar një skemë të dyshuar të trafikimit dhe tregtimit të sendeve me vlerë të vjedhura jashtë vendit, të cilat futeshin kontrabandë në Shqipëri dhe shiteshin në argjendari në Fier dhe Lushnjë.
Në kuadër të operacionit është arrestuar D. S., 27 vjeç, banues në Kreshpan të Fierit, ndërsa është shpallur në kërkim B. A., 45 vjeç, banues në fshatin Kraps.
Sipas hetimeve, të dy dyshohen se siguronin bizhuteri, ora dhe sende të tjera me vlerë në Itali dhe Greqi, të përfituara nga vjedhje, dhe më pas i tregtonin në Shqipëri.
Po ashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtatë administratorë argjendarish në Fier dhe Lushnjë, të dyshuar se blinin dhe tregtonin mallrat e siguruara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe subjekte tregtare, policia sekuestroi:
15 kilogramë e 259 gramë ar;
4 kilogramë e 281 gramë argjend;
612 ora të markave të ndryshme;
13 varëse me gurë diamanti;
sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore;
para në lekë dhe euro;
telefona celularë, pajisje DVR dhe prova të tjera materiale.
Vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet në rreth 2 milionë euro.
Sipas Policisë së Shtetit, hetimi disamujor është zhvilluar me metoda speciale hetimi nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit u gjetën bizhuteri, ora, objekte të dyshuara me vlerë artistike e kulturore, si dhe fishekë arme gjahu. Ndërsa në banesën e 45-vjeçarit të shpallur në kërkim u sekuestruan ora të markave të ndryshme, bizhuteri ari dhe argjendi, si dhe një shkop gome i ngjashëm me atë të policisë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa po punohet për kapjen e 45-vjeçarit të shpallur në kërkim.
