Vendosni fjalën kyçe....

DASH: Ish-kryeministrit Berisha i hiqet ndalimi për të hyrë në SHBA


Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar në një reagim për Report TV se ish-kryeministri Sali Berisha nuk është më subjekt i ndalimit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas këtij reagimi, vendimi është marrë në funksion të interesit kombëtar të SHBA.

Në deklaratën zyrtare nuk jepen detaje të mëtejshme mbi efektet e këtij vendimi në lidhje me familjarët e ish-kryeministrit.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar në një komunikim për Report TV se nga lista e kufizimeve janë përjashtuar edhe anëtarët e familjes së Berishës, konkretisht bashkëshortja Liri Berisha dhe fëmijët e tij, Shkëlzen Berisha dhe Argita Berisha.

“Përshëndetje, Zyra e Shtypit e Departamentit të Shtetit.

Departamenti i Shtetit ka miratuar përjashtime (ëaivers) për disa nga shpalljet sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës dhe të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.”

Në maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha “non grata”, duke e akuzuar për përfshirje në raste korrupsioni dhe për përdorim të pushtetit publik në favor të interesave personale dhe të familjarëve të tij. Vendimi ndalonte hyrjen e tij në SHBA dhe përfshinte edhe anëtarë të ngushtë të familjes.

Berisha e kundërshtoi menjëherë publikisht këtë vendim, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të motivuar politikisht. Ai deklaroi se nuk ekzistonin prova për akuzat e ngritura dhe paralajmëroi hapa ligjorë për ta sfiduar vendimin në rrugë gjyqësore, përfshirë edhe përpjekje për transparencë mbi dosjen që çoi në shpalljen “non grata”.

Pas vendimit, ai u tërhoq fillimisht nga drejtimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por më pas nisi një proces brenda partisë, që kulmoi me rimarrjen e drejtimit të PD-së në vitin 2022. Paralelisht, ai vazhdoi betejën politike dhe juridike kundër vendimit amerikan, duke e mbajtur çështjen në qendër të diskursit të tij politik dhe të përplasjes me kundërshtarët e brendshëm dhe ndërkombëtarë.