Vendosni fjalën kyçe....

“Flamingo nga Temu” – Balla ironizon: Bëni zhurmë sa të doni, investimi do të vijojë



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se investimi i planifikuar në Zvërnec do të vijojë përpara pavarësisht kundërshtimeve politike dhe protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë. Gjatë debatit në Kuvend, Balla u shpreh se mazhoranca do të rrëzojë katër projektligjet e depozituara nga opozita, duke argumentuar se ato bien ndesh me objektivin e qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fjalën e tij, Balla ironizoi deputetët e opozitës, duke përdorur një krahasim që shkaktoi reagime në sallë.

“Ky ishte fiks një fjalim i një flamingo nga Temu. Më pëlqeu shumë që ju, zogjtë e bufit, ju duket vetja si flamingo. Kush ju ka komanduar ju? Bëni zhurmë sa të doni, shkoni edhe në protestë po deshët, vidheni edhe atë, por ne jemi kundër katër projektligjeve që keni sjellë dhe do t’i rrëzojmë”, deklaroi Balla.

Deklarata e tij u shoqërua me duartrokitje dhe ovacione nga deputetët socialistë, ndërsa jashtë Kuvendit vijojnë protestat qytetare kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë. Prej 11 ditësh, mijëra qytetarë mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, anulimin e projektit në Zvërnec dhe ndryshime në qeverisjen e vendit.

Balla akuzoi opozitën për qëndrime kontradiktore lidhur me investimin, duke kujtuar se, sipas tij, vetëm pak ditë më parë përfaqësues të saj ishin shprehur në favor të projektit.

“Një javë më parë dolët dhe thatë se jeni pro investimit. Tani cili është qëllimi i katër projektligjeve që keni sjellë? Jeni pro apo kundër investimit? Ne jemi pro dhe investimi do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë euro”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit socialist komentoi edhe protestat që po zhvillohen në kryeqytet, duke ironizuar pjesëmarrjen e disa figurave politike në to. Ai përmendi gjithashtu sloganet e dëgjuara në tubime dhe akuzoi opozitën se po përpiqet të përfitojë politikisht nga pakënaqësia qytetare.

Debati për projektin në Zvërnec mbetet një nga temat më të nxehta të jetës politike në vend. Ndërsa qeveria dhe mazhoranca e konsiderojnë investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turizmin, kundërshtarët e projektit argumentojnë se ai cenon interesin publik dhe mjedisin, duke kërkuar ndalimin e tij. Protestat kundër projektit dhe qeverisë pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.