Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për përdorim të pajustifikuar të fondeve publike në procesin e ngritjes së Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po ndërtohet institucioni i ri financiar.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se megjithëse Kuvendi ka miratuar ligjin për krijimin e bankës dhe qeveria ka alokuar 1 miliard lekë si kapital fillestar, institucioni ende nuk disponon një strategji të qartë funksionimi, strukturë operacionale apo plan zhvillimi.
Sipas saj, në vend që këto elemente të hartoheshin nga vetë administrata shtetërore dhe ekspertiza institucionale, qeveria ka vendosur të kontraktojë një kompani private përmes një procedure konsulence me vlerë 3.3 milionë euro.
Vangjeli deklaroi se fondet do të përdoren për hartimin dhe konsolidimin e kuadrit institucional, strategjik dhe operacional të bankës, ndërsa ngriti dyshime mbi mënyrën e përdorimit të parave publike.
“Qeveria shqiptare po ndërton një tjetër mekanizëm të shtrenjtë propagande dhe klientelizmi me emrin ‘Banka Shqiptare e Zhvillimit’, ndërsa qytetarët dhe bizneset vazhdojnë të përballen me taksa të larta, mungesë financimi dhe ekonomi të rrënuar”, u shpreh Vangjeli.
Sipas opozitës, krijimi i një banke shtetërore pa pasur paraprakisht të përcaktuara strategjinë, modelin e funksionimit dhe strukturën bazë organizative ngre pikëpyetje serioze mbi efikasitetin e projektit.
PD argumenton se ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi të shumta, duke përmendur mungesën e kredive për bizneset, mbylljen e sipërmarrjeve të vogla dhe emigrimin e të rinjve, ndërsa investimi i miliona eurove në konsulencë konsiderohet si një tjetër shembull i keqmenaxhimit të fondeve publike.
“Shqiptarët kanë të drejtë të dinë pse një bankë shtetërore krijohet pa pasur paraprakisht strategjinë dhe strukturën bazë. Ky është modeli i një qeverie që nuk ndërton institucione të forta, por skema të kushtueshme propagande dhe klientelizmi me paratë e qytetarëve shqiptarë”, theksoi Vangjeli.
Partia Demokratike e cilësoi rastin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit si një tjetër shembull të një modeli qeverisjeje që, sipas saj, favorizon kontratat dhe shpenzimet e mëdha për konsulenca, në vend të ndërtimit të kapaciteteve të qëndrueshme institucionale.
