Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në Krutje, shpëtohen babë e bir pas daljes së mjetit nga rruga



Një aksident rrugor është regjistruar në aksin e Krutjes, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal kullues me ujë.

Në mjet ndodheshin një baba dhe djali i tij, të cilët janë nxjerrë nga uji dhe janë shpëtuar falë ndërhyrjes së banorëve të zonës. Sipas dëshmive, ata kanë hyrë në kanal dhe kanë thyer xhamin e automjetit për t’i nxjerrë jashtë dy të lënduarit.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur zjarrfikësit dhe dy ambulanca, të cilat kanë transportuar të plagosurit drejt Spitalit Rajonal të Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Banorët e zonës shprehen se në këtë segment rrugor janë regjistruar edhe më herët aksidente të ngjashme, duke theksuar mungesën e bordurave mbrojtëse në urën mbi kanal, pavarësisht ankesave të përsëritura.

Policia e qarkullimit rrugor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të dokumentuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.