Vendosni fjalën kyçe....

Bill Gates kaloi vite duke ndërtuar imazhin. Tani gjithçka po thyhet


Punonjësit e Bill Gates kanë kaluar vite duke kultivuar me kujdes imazhin e tij, deri në atë pikë sa kanë mbajtur edhe një manekin të ndërtuar sipas përmasave të tij për të provuar veshjet që ai do përdorte në ditë të ndryshme të javës.

Sipas punonjësve dhe ish-punonjësve, një ekip i specializuar për stilin ruan në një ndërtesë të veçantë koleksione të tëra pulovrash me ngjyra asnjanëse, me jakë të rrumbullakët ose në formë V-je, këmisha me kopsa, pantallona klasike dhe palë shtesë të syzeve “Carbon” të Silver Lining Opticians. Pasi përzgjidhen opsionet për paraqitjet publike, punonjësit zakonisht dërgojnë tre alternativa për miratim nga drejtuesit e lartë. Qëllimi është të paraqitet një figurë e qetë dhe e afërt me njerëzit, e ngjashme me Mister Rogers.

Ky nivel kujdesi ndaj hollësive, pjesë e përpjekjeve të një stafi prej dhjetëra personash që menaxhojnë komunikimet e tij dhe të perandorisë së tij, ndihmoi në forcimin e profilit të Gates si një miliarder intelektual, i cili arriti të zëvendësonte imazhin e dikurshëm të monopolistit të Microsoft-it me aureolën e butë të një filantropi global.

Fondacioni Gates, një nga më të mëdhenjtë në botë, me një fond prej 89 miliardë dollarësh, ka luajtur rol në përpjekjet për shëndetin dhe zhvillimin global, përfshirë luftën kundër vdekshmërisë së fëmijëve dhe sëmundjeve infektive. Në një sondazh të vitit 2019 mbi figurat publike që njerëzit admirojnë më shumë, Gates u rendit në krye të listës, përpara Dalai Lamës dhe Papa Françeskut.

Megjithatë, ky imazh i ndërtuar me shumë kujdes është tronditur rëndë teksa gjithnjë e më shumë ollësi mbi lidhjet e Gates me të ndjerin Jeffrey Epstein janë bërë publike, duke vënë në pikëpyetje përpjekjet e mëparshme të 70-vjeçarit për ta minimizuar marrëdhënien e tij me personin e dënuar për krime seksuale. Në një takim me punonjësit e fondacionit në shkurt, Gates pranoi se kishte pasur dy marrëdhënie jashtëmartesore me gra ruse, të përmendura në email-et e Epstein.

Disa persona të njohur me çështjen thanë se e pritën me mosbesim këtë pranim para stafit: gjatë procedurave të divorcit të tij, ishin ngritur pretendime që lidhnin Gates me më shumë se 20 marrëdhënie jashtëmartesore.

Dokumentet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë tregojnë se Gates është takuar me Epstein disa herë, pavarësisht shqetësimeve të bashkëshortes së tij të atëhershme; se Epstein kishte dijeni për disa nga marrëdhëniet jashtëmartesore të Gates; dhe se dy nga këshilltarët më të afërt të tij kishin shkëmbyer qindra mesazhe me Epstein për vite me radhë, deri në vitin 2019, kur ai vdiq.

Pasojat e këtyre zbulimeve mbi sjelljen e Gates po minojnë tashmë përpjekjet për të mbrojtur reputacionin e tij. Gates, bashkëthemelues i Microsoft-it, së fundmi nuk u ftua në samitin vjetor të drejtuesve ekzekutivë të kompanisë dhe as në mbledhjen vjetore të aksionarëve të Berkshire Hathaway, aktivitete ku kishte marrë pjesë rregullisht për vite me radhë.

Dy ekipe të ndryshme sondazhesh – njëri pranë Fondacionit Gates dhe tjetri pranë zyrës së tij private, Gates Ventures – kanë mbikëqyrur për vite të tëra perceptimet publike për Gates, duke përfshirë pëlqyeshmërinë, besueshmërinë dhe aftësinë për të frymëzuar. Një analizë mediatike e përgatitur për Fondacionin Gates zbuloi se kishte pasur një rritje prej më shumë se 40% të “narrativave kritike në media” për Gates dhe fondacionin që nga publikimi i dosjeve Epstein deri në shkurt, sipas dokumenteve të brendshme të shqyrtuara nga The Wall Street Journal.

Një grafik theksonte ciklet e mëdha globale të lajmeve pas tre ngjarjeve: pasi Melinda French Gates foli për Epstein në një intervistë; pasi Gates u tërhoq nga një samit teknologjik në Indi; dhe më vonë, pasi ai trajtoi publikisht lidhjet e tij me Epstein gjatë takimit me punonjësit e fondacionit – duke vënë në dukje se kjo ishte vijimësi e “lajmeve të paraqitura në mënyrë negative”.

Për vite me radhë, Gates dhe bashkëpunëtorët e tij kishin pretenduar se marrëdhënia e tij me Epstein kishte qenë ekskluzivisht e lidhur me filantropinë dhe se gjatë takimeve të tyre nuk kishin qenë të pranishme gra. Megjithatë, dokumentet e Departamentit të Drejtësisë paraqitën një tablo më të ndërlikuar: Epstein udhëtoi me Gates dhe e prezantoi atë me drejtuesin e komitetit të Çmimit Nobel për Paqen; ai u përfshi në negociata mes punonjësve të Gates dhe vetë Gates; dhe Gates pozoi në fotografi me Epstein dhe me gratë që e shoqëronin atë para ose pas disa prej takimeve të tyre.

Një foto nga dosjet e Departamentit të Drejtësisë tregon Jeffrey Epstein dhe Bill Gates. Departamenti i Drejtësisë

Një zëdhënës i Gates deklaroi se ai nuk ishte përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme me Epstein dhe pranoi se takimi me të kishte qenë një gabim.

“Gates ka kërkuar falje për atë gabim dhe do paraqitet vullnetarisht përpara Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të muajit të ardhshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi ndërveprimet e tij me Epstein. Gates mbështet publikimin e të gjitha dosjeve Epstein me shpresën që viktimat të marrin drejtësinë që meritojnë,” tha zëdhënësi.

Një zëdhënës i Fondacionit Gates deklaroi në një reagim zyrtar:

“Dëmi që Epstein u shkaktoi grave dhe vajzave ishte i tmerrshëm, dhe fondacioni shpreh keqardhje që ndonjë punonjës i tij ka pasur çfarëdo lloj ndërveprimi me të.”

Një zëdhënëse e Melinda French Gates refuzoi të komentonte.

Mes shqetësimeve të brendshme të shkaktuara nga zbulimet e reja, fondacioni u komunikoi punonjësve se kishte hapur një shqyrtim të jashtëm mbi lidhjet e tij me Epstein. Muajin e ardhshëm, Gates do përballet me pyetje përpara një komisioni të Kongresit lidhur me marrëdhëniet e tij me personin e dënuar për krime seksuale.

Ekipi i tij angazhoi avokatin John Moran, një republikan dhe ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, për ta përfaqësuar Gates. Ekipi arriti të shtynte me disa javë dëshminë vullnetare dhe siguroi një marrëveshje që paraqitja e tij të mos transmetohej me video.

Sipas personave të informuar nga stafet e tyre, disa anëtarë të komisionit planifikojnë ta pyesin Gates për email-et që gjenden në dosjet e Departamentit të Drejtësisë dhe që Epstein ia kishte dërguar vetes. Në ato email-e pretendohej se Gates kishte kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe kishte pyetur për antibiotikë që mund t’i jepeshin fshehurazi ish-bashkëshortes së tij të tanishme. Një zëdhënës i Gates kishte deklaruar më herët se email-et e vitit 2013 ishin “absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”.

Në takimin me punonjësit e fondacionit në shkurt, i njohur brenda organizatës si “BG Unplugged”, Gates foli për lidhjet e tij me Epstein me një përzierje pendese dhe sfide.

Ai pranoi se takimi me Epstein kishte qenë një gabim dhe se situata ishte “krejt e kundërt me vlerat e fondacionit”.

Gjithashtu, ai pranoi dy marrëdhëniet me gratë ruse dhe foli për fotografitë ku shfaqej pranë grave, fytyrat e të cilave ishin redaktuar në dokumente, dhe të cilat Gates i përshkroi si asistente të Epstein.

“Nuk kam bërë asgjë të paligjshme. Nuk kam parë asgjë të paligjshme,” tha ai.

Gates deklaroi se gratë nuk kishin qenë pjesë e takimeve dhe se ai nuk kishte biseduar me to.

Në rreshtin e parë të sallës ishin ulur e dashura e tij, Paula Hurd, njëra nga motrat e tij dhe Larry Cohen, drejtori ekzekutiv shumëvjeçar i Gates Ventures dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

 Një pamje nga filmi ‘Brenda trurit të Billit: Deshifrimi i Bill Gates’. Netflix

Vdekja e Epstein-it dhe një dokumentar i Netflix-it

Punonjësit përreth Bill Gates kanë kaluar vite duke kultivuar me kujdes përfytyrimin e tij publik për ta dalluar nga periudha e tij më konfrontuese, kur luftonte akuzat për shkelje të ligjeve antimonopol gjatë drejtimit të Microsoft-it, sipas dokumenteve të brendshme dhe punonjësve të Gates.

Ekipi kujdeset në hollësi për praninë e tij online, për të tërhequr ndjekës në rrjetet sociale dhe abonentë në blogun e tij, Gates Notes. Një nga momentet më të spikatura vite më parë ishte një video virale në YouTube ku Gates dhe miku i tij miliarder Warren Buffett punonin përkohësisht në një pikë të zinxhirit Dairy Queen.

Renditja e vitit 2019, e cila e shpalli atë njeriun më të admiruar në botë sipas sondazhit të kryer nga YouGov, u prit me entuziazëm brenda Gates Ventures, zyrës private ku një numër punonjësish merren me menaxhimin e imazhit publik të Gates-it – që nga ato që ai thotë e deri te pulovrat që vesh.

Ky vlerësim është “vërtet fantastik dhe pasqyron punën e palodhur dhe krijimtarinë e këtij ekipi”, shkroi Larry Cohen, drejtori ekzekutiv i Gates Ventures, në një email të shqyrtuar nga The Wall Street Journal. Sipas tij, ai tregonte “perceptime dhe qëndrime të forta ndaj Bill-it dhe punës që po bëjmë të gjithë”.

Cohen, ashtu si edhe individë të tjerë që punojnë për Gates, nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Në verën e vitit 2019, Jeffrey Epstein u arrestua dhe vdiq në burg. Vdekja e tij ngriti pikëpyetje mbi rrjetin e tij të lidhjeve me elitën, dhe disa nga kontaktet e tij me figura të fuqishme, përfshirë Gates-in, nisën të dalin në dritë.

Në shtator të atij viti, Netflix publikoi dokumentarin “Inside Bill’s Brain”, i cili paraqiste një portret pozitiv dhe intim të aktit të dytë të jetës së tij si filantrop. Në një intervistë për The Wall Street Journal atë muaj lidhur me dokumentarin, Gates u pyet për marrëdhënien e tij me Epstein.

Gates u përgjigj:

“E kam takuar. Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie biznesi apo miqësie me të….Kishte njerëz përreth tij që thoshin: nëse dëshiron të mbledhësh fonde për shëndetin global dhe të rrisësh filantropinë, ai njeh shumë njerëz të pasur. Çdo takim ku kam qenë me të ka qenë takim me burra. Nuk kam qenë kurrë në ndonjë festë apo diçka të ngjashme.”

Muajin pasues, Cohen organizoi një mbledhje me stafin e zyrës private për të diskutuar raportimet mediatike mbi lidhjet e Gates-it me Epstein-in. Sipas pjesëmarrësve, Cohen u tha stafit se, ndonëse situata dukej keq, lidhja e Gates-it me Epstein ishte e kufizuar vetëm në filantropi.

Pas mbledhjes, disa pjesëmarrës thanë se kishin ndjesinë se ekipi drejtues po i jepte përparësi kontrollit të narrativës mbi transparencën.

Më vonë, Gates tha se ishte takuar disa herë me Epstein-in midis viteve 2011 dhe 2014, përfshirë takime në rezidencën e tij në Nju Jork, si edhe në Florida, Seattle dhe Europë.

Divorci dhe një tjetër speciale e Netflix-it

Lidhjet e Gates-it me Epstein-in u rikthyen në vëmendje në vitin 2021, kur ai dhe Melinda French Gates po kalonin procesin e divorcit. The Wall Street Journal raportoi se një burim tensioni ishte shqetësimi i bashkëshortes së tij për marrëdhëniet e Gates-it me Epstein-in, shqetësime që datonin që nga viti 2013.

Në vitin 2023, The Wall Street Journal raportoi se Epstein kishte zbuluar se Gates kishte pasur një aferë me një lojtare ruse të një loje me letra “bridge” dhe më pas kishte tentuar ta përdorte këtë informacion për ta shantazhuar Gates-in. Një zëdhënëse tha në atë kohë: “Epstein u përpoq pa sukses të përdorte një marrëdhënie të kaluar për të kërcënuar z. Gates.”

Një pamje nga filmi ‘Çfarë ka radhën? ‘E ardhmja me Bill Gates.’ Netflix

Në prapaskenë, ekipi i Gates-it po përgatitej për një tjetër seri të Netflix-it, e cila e përshkruante atë si një “vizionar teknologjik dhe filantrop global në shëndetësi dhe klimë”. Edhe pse projekti iu prezantua stafit si një dokumentar i pavarur, dokumentet e brendshme tregojnë përfshirjen e “makinerisë” së Gates-it.

Ekzekutivi i Gates Ventures, Ian Saunders, në janar 2024 ndau një dokument prej nëntë faqesh me ekipin e produksionit, pasi Gates dhe Cohen kishin parë episodet. Edhe pse Gates ishte “shumë pozitiv” për to, ai ngriti edhe shqetësime për secilin nga pesë episodet, shkroi Saunders në një memo.

Ndër reagimet e tij përfshiheshin:

“Ne kërkojmë me forcë përsëri që të ndryshoni shikimin e zymtë të Bill-it në skenën e fundit. Disa nga njerëzit në këtë episod duhet të hiqen plotësisht. Një detaj i vogël dizajni, por duket e çuditshme që ID-ja e Bernie Sanders është ‘mbi’ Bill.”

Gates dhe Cohen bënë një “shikim maratonë” të episodeve para se seriali të publikohej, sipas një dokumenti tjetër të shkruar nga Saunders. Më pas, Saunders përcolli gjashtë pika kryesore reagimesh për stafin e përfshirë në dokumentar, përfshirë edhe nga Tremolo Productions.

Sugjeruan që ekipi të filmonte më shumë “nga Bill, nga të tjerët” dhe të bëhej më shumë montazh. “Mund ta mbajmë Tremolo-n tërësisht ose edhe më shumë se tërësisht nëse nevojitet financim shtesë — nuk duam që kostoja të jetë arsye për të mos ‘vazhduar’,” sipas memorandumit.

Zëdhënësit e Netflix dhe Tremolo thanë se nuk kishin dijeni që Gates ose ekipi i tij kishin paguar për ndonjë pjesë të dokumentarit. Zëdhënësi i Netflix tha se Netflix ruajti kontrollin final dhe miratimin krijues të serisë.

Kur projekti u përfundua, një ekzekutiv i Gates Ventures u listua si producent në projekt, për habinë dhe pakënaqësinë e anëtarëve të ekipit të dokumentarit, sipas personave të njohur me çështjen. Seriali u quajt “What’s Next? The Future with Bill Gates”.

Zëdhënësi i Netflix refuzoi të komentonte mbi kreditet e producentit.

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të publikuara

Nëse dokumentari i Netflix-it i vitit 2024 ishte një përpjekje për të parë përpara, dosja e Departamentit të Drejtësisë mbi Epstein-in shërbeu për të rikthyer në sipërfaqe të kaluarën. Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë përfshinin më shumë se 1,000 emaile që lidhen me Gates-in, fondacionin ose njerëz që punonin për të.

Pakënaqësitë filluan të rriteshin brenda organizatës. Mark Suzman, një veteran i fondacionit që mori drejtimin si shef ekzekutiv në vitin 2020, mbajti një mbledhje me stafin në fillim të shkurtit, disa ditë pas publikimit të dosjeve. Gates nuk ishte i pranishëm.

Disa punonjës ngritën pyetje për lidhjet e Gates-it me Epstein-in, sipas pjesëmarrësve dhe personave të informuar mbi mbledhjen, përfshirë një që i kërkoi Suzman-it të ndihmonte të kuptonte çfarë duhet t’u thonin partnerëve të fondacionit.

Suzman u tha punonjësve se ndihej “disi i njollosur” nga çdo lidhje e Epstein-it me fondacionin dhe se kjo e bënte më të vështirë misionin e organizatës. Në audiencë u panë disa persona duke qarë.

Suzman-it iu paraqitën dy pyetje finale: njëra për lidhjet me Epstein-in dhe tjetra se kush do ta fitonte Super Bowl-in. Ai dha një shpjegim të detajuar për mbështetjen e tij për New England Patriots, duke e balancuar me vitet e tij në Seattle, dhe më pas iu përgjigj shkurt pyetjes për Epstein-in.

Një zëdhënës i Fondacionit Gates deklaroi: “Fondacioni Gates mbetet i fokusuar në misionin e tij për të përmirësuar jetët në SHBA dhe globalisht; për të avancuar këtë mision, kryetari, CEO dhe bordi i tij mbeten plotësisht të angazhuar në punën përpara.”

Brenda në organizatë, ekipi i Gates-it kuptoi se situata rreth liderit të tyre kishte pak gjasa të qetësohej, edhe pse ata vazhdonin të shpenzonin miliarda dollarë në punën e tyre për çështje si zhdukja e malaries dhe poliomielitit, si dhe ulja e vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve.

Organizatat jofitimprurëse vazhdonin të kërkonin fonde nga Fondacioni Gates, sidomos pasi financimet federale ishin tkurrur, por prestigji i fondacionit ishte dobësuar. Udhëheqës botërorë dhe drejtues të OJQ-ve po bëheshin më të kujdesshëm për takimet me Gates-in. Edhe Microsoft po tërhiqej.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Gates, Mark Suzman

Gates zakonisht organizon një darkë në shtëpinë e tij në shtetin e Washington-it, e lidhur me samitin vjetor të CEO-ve të gjigantit teknologjik. Por disa javë para eventit të majit, ekipi i tij mori njoftim se do të ishte më mirë që këtë vit të mos zhvillohej, sipas personave të njohur me çështjen.

“Edhe pse këtë vit nuk u realizua, ne tashmë kemi dërguar një ftesë që Bill të marrë pjesë në samitin e CEO-ve vitin e ardhshëm,” tha një zëdhënës i Microsoft.

Para një udhëtimi në Indi në mes të shkurtit, lidhjet me Epstein-in po krijonin shqetësim brenda stafit të fondacionit. Ankur Vora, një ekzekutiv që mbikëqyrte udhëtimin, dhe drejtoresha për Indinë, Archna Vyas, ngritën pyetje me kolegët nëse udhëtimi duhej të zhvillohej fare.

Gates fillimisht udhëtoi në Vijayawada, një qytet në juglindje, ku zbriti nga avioni dhe u prit nga zyrtarë që i dhuruan shalla shumëngjyrëshe që përfaqësonin rajone të ndryshme. Zyrtarët gjithashtu u fotografuan me të duke i dhuruar aranzhime të mëdha me lule. Më pas ai shkoi në Mumbai dhe në fund në New Delhi, ku planifikonte të mbante një fjalim kryesor në një konferencë për inteligjencën artificiale të ndjekur nga krerë shtetesh dhe liderë teknologjikë.

Disa ditë para fjalimit të Gates-it, emri i tij nuk shfaqej në disa kërkime si “pjesëmarrës kryesor” në faqen e konferencës. Zyrtarë të qeverisë indiane u thanë mediave lokale se ftesa e tij po rishikohej për shkak të përfshirjes së tij në lajmet për Epstein-in.

Në atë kohë, zyra e Fondacionit Gates në Indi shkroi në Twitter: “Bill Gates po merr pjesë në AI Impact Summit. Ai do të mbajë fjalimin e tij sipas planit.”

Gates ndodhej në hotelin Oberoi në New Delhi, i njohur për shkallët simetrike dhe skulpturën “Tree of Life” në holl. Ai priste të merrte njoftim nëse duhej të merrte pjesë në një darkë me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron dhe liderë biznesi, sipas zyrtarëve. Ata që morën pjesë ishin pjesë e samitit të AI.

Në fund, Gates nuk mori pjesë në darkë. Më pas Vyas mori njoftim nga qeveria indiane se do të ishte më mirë që Gates të mos ishte pjesë e samitit, pasi vëmendja e shtuar mbi Epstein-in do të largonte fokusin nga tema e AI-së. Qeveria indiane ia la Gates-it dhe ekipit të tij komunikimin e këtij ndryshimi.

Disa orë para se Gates të ngjitej në skenë, fondacioni postoi në Twitter: “Pas një vlerësimi të kujdesshëm, dhe për të siguruar që fokusi të mbetet te prioritetet e Samitit të AI, z. Gates nuk do të mbajë fjalimin e tij kryesor.”

Disa ditë më vonë, në Seattle, Gates u shpjegoi stafit në një mbledhje të brendshme se çfarë kishte ndodhur. “Mendoj se ata kishin, e dini, një lloj perceptimi të tillë dhe kjo do ta kishte zhvendosur fokusin nga samiti,” tha ai. Ai e quajti një “marrëveshje të përbashkët”.

Suzman dhe drejtues të tjerë të fondacionit vendosën ta tërhiqnin Gates-in edhe nga një udhëtim i planifikuar në Afrikën e Jugut, sipas një dokumenti të brendshëm.

Marsi i vështirë

Në fillim të marsit, një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton çështjen Epstein i dërgoi letra Gates-it dhe disa bashkëpunëtorëve të tjerë të profilit të lartë të lidhur me Epstein-in, duke kërkuar dëshminë e tyre. Javën pasuese, kompania e energjisë bërthamore e Gates-it, TerraPower, po kryente një formë të vetën të menaxhimit të dëmit reputacional.

Më 9 mars, TerraPower u dha punonjësve njoftim vetëm tre ditë para një takimi virtual të gjithë stafit, pa dhënë arsye, sipas një dokumenti të brendshëm. Zakonisht kompania jep disa javë njoftim.

Gates gjatë takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, në janar

Gjatë takimit, CEO Chris Levesque përsëriti linjat kryesore të komunikimit të Gates-it. Ai u tha punonjësve të prisnin më shumë diskutime për lidhjet e Gates-it me Epstein-in në muajt në vijim, për shkak të paraqitjes së tij të afërt në Kongres. Ai pranoi se kishte marrë shqetësime nga punonjësit përmes një programi anonim, menaxherëve dhe burimeve njerëzore, të cilat i cilësoi si “shqetësuese”. Ai gjithashtu tha se kishte folur me zyrën private të Gates-it dhe se “është e qartë se kjo nuk përfshin TerraPower”.

“Nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet e TerraPower, madje edhe dy aferat që Bill ka pranuar publikisht, dhe pendimet e tij për to, nuk kanë lidhje me TerraPower,” sipas një regjistrimi të mbledhjes të shqyrtuar nga The Wall Street Journal. Ai i inkurajoi punonjësit të qëndronin të fokusuar te misioni.

Disa punonjës aktualë dhe ish-punonjës e gjetën këtë shpjegim konfuz — dhe privatisht diskutuan mes tyre se nuk ishte i saktë. Një nga gratë me të cilat Gates kishte thënë se kishte pasur një aferë — një “fizikane bërthamore ruse që e takova përmes aktiviteteve të biznesit”, kishte thënë ai në mbledhjen e fondacionit — kishte lidhje të ngushta me TerraPower.

Ajo kishte punuar në TerraPower nga 2010 deri në 2012, sipas profilit të saj në LinkedIn, dhe emri i saj figuronte edhe në sistemin e brendshëm të kompanisë. Ajo ishte paraqitur në një artikull reviste në vitin 2011 për punën e saj në TerraPower, përfshirë edhe një sesion fotografik me Gates dhe zëvendëskryetarin e TerraPower, Nathan Myhrvold, një bashkëpunëtor i hershëm i Gates-it.

Një ekzekutiv i TerraPower më vonë u tha disa punonjësve që kishin ngritur shqetësime se gruaja kishte qenë e punësuar nga kompania mëmë e TerraPower. Për disa punonjës, ky shpjegim u pa si një “mburojë semantike”, një teknikë e përdorur për të mbrojtur imazhin e Gates-it.

TerraPower dhe gruaja në fjalë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Zëdhënësi i Gates-it tha se ai nuk kishte “pasur një marrëdhënie të papërshtatshme me asnjë punonjëse të TerraPower”. Një person i njohur me çështjen tha se ajo aferë e shkurtër kishte ndodhur pas përfundimit të punës së saj në TerraPower.

Në fund të marsit, Gates u pa dukshëm mungues në CERAWeek, tubimi kryesor i industrisë së energjisë në Houston. Në vitet e mëparshme, ai kishte qenë një nga folësit kryesorë si themelues i TerraPower dhe Breakthrough Energy, një firmë investimesh në klimë.

Gates në një aktivitet të Fondacionit Gates në Stokholm, në janar

Organizatorët e CERAWeek kishin diskutuar me ekipin e Gates-it për pjesëmarrjen e tij, por në fund vendosën se, për shkak të rritjes së vëmendjes rreth Epstein-it, nuk ishte momenti i duhur që ai të dilte në skenë.

Gates mori pjesë në një event më të vogël të tij, Breakthrough Energy Ventures Investor Summit, ku një drejtues i Breakthrough e intervistoi. Ai u takua me disa partnerë dhe investitorë në hotelin Four Seasons, disa blloqe larg nga eventi i CERAWeek.

Breakthrough Energy po përpiqej të siguronte disa qindra milionë dollarë për një fond të ri, por po përballej me vështirësi në mbledhjen e fondeve. Disa investitorë përmendën si arsye shqetësimet rreth lidhjeve të Gates-it me Epstein-in dhe zhvendosjen e fokusit të firmës nga klima.

“Komuniteti ynë i investitorëve vazhdon të rritet dhe nuk kemi qenë kurrë më optimistë për të ardhmen e firmës sonë dhe kompanive në të cilat investojmë,” tha një zëdhënës i Breakthrough Energy. “Investitorët tanë janë të entuziazmuar për pipeline-in tonë të kompanive.”

Gates po përgatitet për paraqitjen e tij në Kongres më 10 qershor, me staf që po e ndihmon të përgatitet, sipas personave të njohur me çështjen. Ndër temat që pritet të diskutohen: nuk janë bërë akuza për marrëdhënie midis Gates dhe punonjëseve të fondacionit dhe nuk ka pasur ankesa zyrtare.

Por narrativa po fillon të çahet, madje edhe mes disa prej njerëzve më të afërt me miliarderin.

Ndërsa drejtues të lartë të fondacionit ishin mbledhur në një takim jashtë zyrave në Kenia, miku i hershëm i Gates, Buffett, i surprizoi ata me deklarata televizive për Gates dhe Epstein më 31 mars.

Investitori legjendar kishte qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të fondacionit dhe kishte premtuar donacione vjetore gjatë gjithë jetës së tij. Por ai u tërhoq nga roli i administratorit në vitin 2021 pas njoftimit të divorcit të çiftit Gates, dhe në vitin 2024 i tha Wall Street Journal se fondacioni i Gates nuk do të merrte më asnjë para prej tij pas vdekjes së tij.

Në një intervistë në CNBC në mars, Buffett tha se nuk kishte folur me Gates që prej publikimit të dosjeve të Epstein. 95-vjeçari tha se donte të priste dhe të shihte çfarë tjetër do të mësonte nga këto dosje përpara se të merrte vendimin e tij vjetor për donacionet në fund të qershorit.

Në fillim të majit, Gates nuk mori pjesë në mbledhjen vjetore të Berkshire Hathaway, kompanisë që Buffett e drejtoi për dekada dhe ku Gates kishte qenë anëtar bordi deri në vitin 2020. Edhe pse nuk iu ndalua pjesëmarrja, disa persona e këshilluan të mos shkonte. Ishte hera e parë që ai mungonte pas shumë vitesh.

Disa javë më vonë, Gates priti anëtarë të Giving Pledge, organizatës që ai e bashkëthemeloi me Buffett dhe French Gates, në takimin e saj vjetor në Ojai, Kaliforni. Nga ky takim mungonin dukshëm dy bashkëthemeluesit e tjerë.

Një zëdhënës i Giving Pledge tha se pjesëmarrja ndryshon nga viti në vit dhe nuk pranoi të komentojë për individë të veçantë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal