Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës së zhvilluar të dielën në Tiranë kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, duke mbrojtur politikat e qeverisë në fushën e mjedisit dhe duke deklaruar se Partia Socialiste ka qenë forca që ka zgjeruar më shumë se kushdo tjetër sipërfaqet e mbrojtura në Shqipëri.
Gjatë aktivitetit të organizuar në Berat në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama u ndal veçanërisht te debati i ditëve të fundit për Zvërnecin dhe zonat e mbrojtura.
“Nuk mund të rri dot pa u ndalur te tema e ditës, e natyrës. Parku Kombëtar i Vjosës ka qenë pjesë e planit të PS. Nuk e kanë vënë nën mbrojtje ata që duan ta mbrojnë nga ne, e kemi vënë ne. Shqipërinë me 25% të territorit të mbrojtur, nga shumë herë më pak se sa e gjetëm, e kemi vizatuar ne, PS,” deklaroi kryeministri.
Rama kritikoi akuzat e ngritura ndaj qeverisë dhe socialistëve, duke i cilësuar ato si të pabazuara.
“Të flasësh për zonat e mbrojtura, për peizazhet e mbrojtura në tërësi, dhe t’i kthehesh PS-së, përfshi dhe mua, duke na parë si rreziku, ky është kulmi! Është një kulm që mund ta arrijë verbëria, e kombinuar me manipulimin,” tha ai.
Duke iu referuar protestës së mbajtur në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë kërkuan mbrojtjen e zonave natyrore, kreu i qeverisë vuri në pikëpyetje arsyet e kundërshtimeve.
“Ka një protestë në Tiranë ku protestohet për të mbrojtur natyrën. Po kush e ka cenuar natyrën? Kush e vuri në rrezik biodiversitetin? U hoq nga zonë e mbrojtur Zvërneci? Po kush e hoqi? Çfarë zonë e mbrojtur ka qenë? Ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë 5. Protestohet për çfarë?” u shpreh Rama.
Sipas tij, çështja e biodiversitetit dhe mbrojtjes së natyrës nuk është në diskutim, pasi përbën një pjesë të pandashme të politikave të qeverisë.
“Debati real sot nuk është a do mbrohet apo jo biodiversiteti, pasi kjo është pjesë e pandashme e punës sonë përballë çdo diversiteti,” deklaroi kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur debati mbi projektin në Zvërnec dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura ka shkaktuar reagime të forta politike dhe protesta qytetare.
