
Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti turistik në Zvërnec dhe në Ishullin e Sazanit ka nisur si interesim nga investitorët që në vitin 2023. Ai theksoi se Sazani është pronë publike dhe nuk do të shitet, ndërsa shteti shqiptar synon të jetë partner në zhvillimin e projektit.
Për Zvërnecin, Rama tha se pjesa më e madhe e tokave janë prona private dhe se çdo diskutim mbi zhvillimin e zonës duhet të bëhet me pronarët. Sipas tij, projekti ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të përfshirjes së Jared Kushner dhe po promovon Shqipërinë në arenën globale.
“Projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023 dhe ka nisur si interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë që në ditën e parë ka qenë: Sazani është tokë publike.
Ka qenë dëshirë dhe ambicie e kahershme e qeverive të tjera për ta kthyer në destinacion turistik. Ne jemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet.
Ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak, qeveria e kryeministrit tuaj që e keni votuar dhe sot, duke iu bashkuar zemëratës, e konsideroni shitës dhe të korruptuar.
Shitësit dhe të korruptuarit bënin Shqipërinë 1 euro dhe merrnin pjesën, nuk ia jepnin shtetit. Për projektin e Zvërnecit, duhet të shikoni pronat dhe pronarët pasi nuk kemi tokë-shtet aty dhe copëza që mund të jenë shtet janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj, kështu që merruni me pronarët.
Ky është fillimi i 2023. Ju e dini shumë mirë kush janë njerëzit e interesuar se e di gjithë bota. Bota mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që ka promovuar projektin, Jared Kushner.
Bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë, prandaj ka dalë në të gjitha mediat, por me axhendë, jo për të informuar popullin sesa shumë po zhvillohet Shqipëria, por për të gjetur gjilpërën në kashtë”, tha Rama.