Dreputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas incidentit të raportuar në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga persona të maskuar në prani të Policisë së Shtetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi e cilësoi ngjarjen si një pasqyrë të gjendjes së demokracisë në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se mbron interesa private në dëm të qytetarëve.
“Kjo video tregon gjendjen e Shqipërisë sot. Dhuna nga civilë të maskuar ndaj një protestuesi në Zvërnec, në prani të Policisë së Shtetit, është panorama reale e vendit tonë,” shkruan Këlliçi.
Sipas tij, persona të lidhur me qeverinë kanë përfituar prona publike pa transparencë, ndërsa qytetarët që kundërshtojnë përballen me presion dhe dhunë.
“Të fortët e lidhur me Edi Ramën kanë marrë pronën, nuk bëjnë transparencë dhe dhunojnë qytetarët që ngrenë zërin. Aty është policia e shtetit që nuk mbron qytetarët por ndihmon klientin e qeverisë. Kthehet në gardë pretoriane për oligarkët dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh,” shprehet ai.
Këlliçi ngriti gjithashtu akuza për mungesë raportimi nga mediat kryesore të vendit, duke e cilësuar këtë si censurë.
“Për ta bërë edhe më të plotë pamjen e demokracisë që kemi sot, ky skandal i rëndë nuk u pasqyrua dje në asnjë prej mediave kryesore të vendit. Një censurë e turpshme,” deklaroi ai.
Sipas demokratit, vetëm aktivistët dhe rrjetet sociale bënë të mundur që ngjarja të bëhej publike.
“Sikur të mos ishin aktivistët dhe rrjetet sociale, askush nuk do kishte dijeni për dhunën e Zvërnecit. Videot qarkulluan në rrjet si librat e verdhë dikur,” shtoi Këlliçi.
Ai akuzon edhe kryeministrin Edi Rama për mungesën e reagimit ndaj ngjarjes, duke pretenduar se kreu i qeverisë ka mbështetur më herët projektin që kundërshtohet nga banorët dhe aktivistët.
“Ajo që ndodhi në Zvërnec, është ajo që po ndodh në Shqipëri. Plaçkitje, marrje pasurie, përfitim, për ata që janë afër Edi Ramës dhe mosdhënie informacioni, mospërfillje e dhunë për qytetarët,” përfundon reagimi i Këlliçit.
