
Votimin më të rëndësishëm që nga viti 1991, kur u zgjodh për herë të parë në krye të PD-së, e quajti kreu i PD-së Berisha atë të sotmin, ku u rikonfirmua në krye të selisë blu. Ishte një garë ku Berisha mori medalje ari si atleti i vetëm pjesëmarrës.
Pas fitores ai tha se tani është koha për të ecur para drejt qëllimeve madhore.
“Unë sonte dua t’u them të gjithë këtyre dhjetëra mijëra demokratëve se për mua në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 gjer sot, ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh. Demokratët sot kanë votuar PD më të fortë, kështu do të votojnë shqiptarët nesër. Kanë zgjedhur PD më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj. Siç votuam ne sot, do të votojnë shqiptarët nesër. Ky është betimi ynë! Edi Rama, dije mirë se për këtë ushtri 40 mijëshe, ti ke zero legjitimitet. Ti, kudo që të shkosh, në hënë e prapa diellit, shkon një hajdut i shpërfytyruar. Kudo të shkosh edhe në hënë dhe prapa diellit shkon një sharlatan. Shkon njeri pa legjitimitet. Do trajtohesh si i tillë deri në ditën e largimit nga pushteti. Parti e votës së lirë. Mendove se me 11 maj fitove. Buzëqeshjen ta ngrimë muaj më parë. Kufomë politikë. Fundit e ke të shpejtë. Demokratë e demokrate, sot keni votuar për një PD të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj, për një PD të vizionit më të shkëlqyer, për një PD më të vendosur se kurrë në misionin e saj”, tha Berisha.