Qindra protestues dolën në rrugët e Nuuk për të kundërshtuar shtimin e pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ishullin arktik, pasi Uashingtoni rihapi konsullatën amerikane në një lokacion të ri, përcjell Euronews.
Demonstruesit marshuan nëpër kryeqytet duke mbajtur flamuj të Groenlandës dhe pankarta me mesazhe si “Nuk jemi në shitje” dhe “Shkoni në shtëpi, SHBA”.
Protesta erdhi një ditë pasi i dërguari special amerikan, Jeff Landry, përfundoi një vizitë në territorin autonom danez, ku deklaroi se SHBA duhet të rindërtojë praninë e saj ushtarake në Groenlandë.
Gjatë marshimit, policia monitoroi situatën, ndërsa protestuesit akuzuan Uashingtonin se po e trajton Groenlandën si aset strategjik dhe jo si një territor vetëqeverisës.
Tensionet rreth së ardhmes së Groenlandës janë shtuar vitet e fundit për shkak të rëndësisë gjeopolitike të rajonit Arktik, rrugëve të reja detare dhe rezervave të mineraleve të rralla.
Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA operonte 17 objekte ushtarake në Groenlandë, ndërsa aktualisht mban vetëm bazën Pituffik në veri të ishullit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane dhe ka paralajmëruar për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Arktik.
Nga ana tjetër, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka theksuar se vetëm qytetarët e Groenlandës mund të vendosin për të ardhmen e territorit.
Sondazhet e fundit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë prej rreth 57 mijë banorësh mbështet pavarësinë e ardhshme nga Danimarka.
