Një debat me tone të ashpra ka përfshirë seancën e Kuvendit gjatë një interpelance mes deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, dhe Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro.
Në qendër të përplasjes ishte mënyra e funksionimit dhe reforma në Agjencinë e Shërbimeve Arsimore (ASHA), ku opozita hodhi akuza të rënda për delegim të funksioneve publike dhe kalim të kompetencave të provimeve shtetërore në duart e privatit.
Deputetja Zhupa pretendoi se qeveria po mashtron opinionin publik duke përdorur emrin e Universitetit të Kembrixhit, ndërkohë që sipas saj marrëveshja është nënshkruar me një strukturë tjetër.
“Po paraqitet sikur ka marrëveshje me Universitetin e Kembrixhit, por në fakt bëhet fjalë për një organizatë të quajtur Cambridge Partners, që nuk është vetë universiteti. Si mund të mbrohet interesi publik kur një institucion shtetëror kthehet në korporatë dhe i jepet privatit? A ka një vend në Europë ku provimet e maturës organizohen nga privatët? Po e ktheni shtetin në OJF dhe po delegoni funksione publike sipas dëshirës,” deklaroi Zhupa, duke ironizuar se me këtë logjikë mund të jepet edhe vetë ministria me PPP.
Nga ana e saj, ministrja Mirela Kumbaro i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar si të pavërteta.
Ajo sqaroi se Agjencia e Shërbimeve Arsimore mbetet tërësisht nën kontrollin e shtetit shqiptar dhe se përfshirja e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) është thjesht në rolin e një donatori dhe mbështetësi teknik pa përfitime financiare publike.
“Agjencia do të vazhdojë të kontrollohet nga shteti shqiptar dhe institucionet audituese. AADF nuk merr në dorë shërbimet dhe nuk përfiton fonde publike. Roli i saj është vetëm lehtësues për bashkëpunimin me Qendrën e Vlerësimeve të Kembrixhit… Kjo agjenci do të jetë një histori suksesi dhe koha do ta tregojë,” u kundërpërgjigj ministrja Kumbaro.
Kumbaro solli në vëmendje se bashkëpunimi me AADF-në është një praktikë e hershme e shtetit shqiptar, e mbështetur edhe nga qeveritë e mëparshme, dhe se i gjithë procesi synon modernizimin e vlerësimit arsimor dhe rritjen e standardeve të provimeve në përputhje me modelet më të mira ndërkombëtare.
