Vendosni fjalën kyçe....

Franca hap hetim për vrasjen e Jamal Khashoggi-t


Franca ka hapur një hetim mbi vrasjen e dissidentit saudit Jamal Khashoggi, pasi organizatat joqeveritare akuzuan Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, për bashkëpunim në këtë vrasje. 

Gazetari 59-vjeçar dhe editorialisti i Washington Post u vra në vitin 2018 gjatë një vizite në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë. Besohet se trupi i tij u copëtua dhe nuk u gjet kurrë.

Autoritetet saudite e pranuan se Khashoggi u vra brenda konsullatës, por këmbëngulën se operacioni u krye nga zyrtarë pa autorizimin e udhëheqjes së vendit.

Në korrik të vitit 2022, organizata “Demokracia për Botën Arabe Tani” (DAWN) – ish-organizata e Khashoggi-t dhe “Reporterët Pa Kufij” (RSF) ngritën një padi ligjore duke akuzuar Mohammed bin Salman për bashkëpunim në torturën dhe zhdukjen me forcë si pjesë e një grupi të organizuar. Padia pretendonte se ai kishte urdhëruar “vrasjen me mbytje” të Khashoggi-t.

Zyra e Prokurorit Kombëtar Anti-Terrorizëm të Francës fillimisht kundërshtoi hapjen e hetimit, një qëndrim ky që u kritikua nga avokati i RSF-së, Emmanuel Daoud, si “realpolitikë në emër të interesave të larta ekonomike të Francës për të mos zemëruar autoritetet saudite”.

Gykata e Apelit e Parisit tashmë ka vendosur se “mundësia që këto akte të klasifikohen si krime kundër njerëzimit nuk mund të përjashtohet”. 

“Një gjykatës hetues nga njesia e krimeve kundër njerëzimit do shqyrtojë tani padinë,” tha zyra e prokurorit për AFP të shtunën. 

Khashoggi dikur kishte shërbyer si këshilltar i qeverisë saudite dhe ishte i afërt me familjen mbretërore përpara se të bëhej një kritik i shquar i udhëheqjes së mbretërisë dhe të shpërngulej në SHBA. Prokurorët e Arabisë Saudite thanë se gazetari vdiq pasi u mbajt me forcë dhe iu injektua një dozë e tepërt ilaçesh gjatë asaj që ata e përshkruan si një përpjekje të dështuar për ta bindur atë të kthehej në Arabinë Saudite.

Një raport i inteligjencës amerikane i publikuar nga administrata Biden në vitin 2021 doli në përfundimin se Mohammed bin Salman ushtronte “kontroll absolut” mbi mbretërinë dhe se organizatat saudite të sigurisë kishin miratuar një operacion për të “kapur ose vrarë” Khashoggi-n. Mbretëria e hodhi poshtë këtë vlerësim si “të rremë dhe të papranueshëm”. 

Megjithatë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi vitin e kaluar se princi i kurorës “nuk dinte asgjë” rreth planit për të vrarë gazetarin, shkruan Rt.