
Një sulm me dron ka shkaktuar zjarr në një central bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe, thanë zyrtarët në Abu Dabi të dielën, në një kohë kur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin dhe për të rinisur transportin detar në Gjirin Persik duket se kanë ngecur.
Zyrtarët e Emirateve thanë se po hetonin burimin e sulmit dhe se Emiratet kishte të drejtën e plotë për t’iu përgjigjur “sulmeve të tilla terroriste”. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë akuzuar edhe më parë Iranin për sulme ndaj objektivave të saj energjetike, në atë që e kanë quajtur një përshkallëzim të konfliktit në rajon.
Droni goditi një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të centralit bërthamor “Barakah”, njoftoi zyra e medias në Abu Dabi. Nivelet e sigurisë radiologjike nuk u prekën dhe nuk pati të lënduar, thuhet në njoftim.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) tha se gjeneratorët e emergjencës me naftë po furnizonin me energji “njësinë 3” të centralit dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale ushtarake” pranë çdo centrali bërthamor, duke shtuar se po e ndiqte gjendjen nga afër.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve tha se dy dronë të tjerë ishin përballuar “me sukses” dhe se ata ishin lëshuar nga “kufiri perëndimor”. Ajo nuk dha hollësi të mëtejshme.
Gjatë luftës që filloi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, Irani ka shënjestruar vazhdimisht Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtetet e tjera të Gjirit që strehojnë baza ushtarake të SHBA-së, duke goditur pika që përfshijnë infrastrukturën civile dhe atë energjetike.
Irani i intensifikoi sulme të tilla ndaj Emirateve në fillim të këtij muaji, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një mision detar për të provuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit, të cilin Trump e pezulloi pas 48 orësh.
Bllokimi diplomatik
Më shumë se pesë javë pasi një armëpushim i brishtë në konflikt hyri në fuqi, kërkesat e SHBA-së dhe Iranit mbeten shumë larg njëra-tjetrës, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhe për të rihapë ngushticën, rrugën më të rëndësishme detare në botë për naftën dhe gazin.
Uashingtoni i ka bërë thirrje Teheranit të çmontojë programin e tij bërthamor dhe të heqë kontrollin mbi ngushticën. Irani ka kërkuar dëmshpërblim për dëmet e luftës, përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe ndalimin e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, ku Izraeli po lufton kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
Trump, i cili zhvilloi bisedime me presidentin kinez Xi Jinping këtë javë pa siguruar ndonjë shenjë nga Kina se ajo do ndihmonte në zgjidhjen e konfliktit, ka kërcënuar se do rinisë sulmet nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, shkruan Reuters.