Vendosni fjalën kyçe....

Lufta kibernetike SHBA-Kinë, Trump pa doreza: Ne spiunojmë tmerrësisht shumë ndaj tyre


Presidenti amerikan Donald Trump pranoi publikisht se Shtetet e Bashkuara kryejnë operacione të gjera spiunazhi dhe sulmesh kibernetike ndaj Kinës, gjatë një deklarate për gazetarët pas samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.

I pyetur nëse kishte diskutuar me Xi për sulmet kibernetike që Kina ka kryer ndaj SHBA-së, Trump tha se të dy liderët kishin shkëmbyer akuza reciproke për aktivitetet e spiunazhit, përcjell NDTV.

“Po, folëm. Ai foli për sulmet që kemi bërë ne në Kinë. E dini, atë që bëjnë ata, e bëjmë edhe ne”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan shtoi se i kishte thënë homologut kinez:

“Ne ju bëjmë shumë gjëra që ju nuk i dini.”

Trump vazhdoi më tej duke thënë:

“Ju po na bëni neve gjëra që ndoshta i dimë, por edhe ne bëjmë plot. Është një shpatë me dy tehe.”

Deklaratat e tij nxjerrin në pah rivalitetin e fortë mes SHBA-së dhe Kinës në fushën e spiunazhit kibernetik dhe mbledhjes së inteligjencës, ku të dy vendet e konsiderojnë njëri-tjetrin kërcënimin kryesor në hapësirën kibernetike.

Sipas raportimeve, gjatë vizitës në Pekin administrata amerikane mori masa të forta sigurie për të shmangur përgjimet apo hakerimet e mundshme nga Kina.

Trump dhe pjesëtarët e delegacionit amerikan nuk përdorën telefonat personalë, por pajisje të posaçme të përkohshme dhe sisteme të kontrolluara komunikimi.

Zyrtarë amerikanë i thanë Fox News se masat u morën për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme të Uashingtonit, i cili e konsideron Kinën një nga ambientet më agresive në botë për spiunazhin kibernetik.

“Nuk ka komunikime elektronike të sigurta në Kinë”, tha Bill Gage, ish-agjent i Secret Service dhe aktualisht drejtor sigurie në kompaninë Safehaven Security Group.

Ndërsa Theresa Payton, ish-drejtore e teknologjisë së Shtëpisë së Bardhë, deklaroi:

“Ne gjithmonë u themi njerëzve të supozojnë se çdo gjë që thonë apo bëjnë, fizikisht apo digjitalisht, mund të monitorohet.”

Pas përfundimit të samitit, zyrtarët amerikanë hodhën në kosh të gjitha pajisjet dhe dhuratat e marra nga pala kineze, përfshirë telefonë të përkohshëm, karta identifikimi dhe suvenire zyrtare.