Vendosni fjalën kyçe....

SHBA vendos sanksione të reja ndaj rrjetit të naftës iraniane që furnizon Kinën


Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj tre personave dhe nëntë kompanive të akuzuara për ndihmë në transportin e naftës iraniane drejt Kinës, përcjell Reuters.

Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, kompanitë e goditura nga sanksionet janë të regjistruara në Hong Kong, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman, ndërsa akuzohen se kanë ndihmuar Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në shitjen dhe transportimin e naftës iraniane përmes kompanive fasadë.

Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas një vale tjetër sanksionesh amerikane ndaj individëve dhe kompanive të përfshira në furnizimin e Iranit me armë dhe komponentë për dronë e raketa balistike.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se administrata e presidentit Donald Trump do të vazhdojë të përdorë sanksionet për të kufizuar financimin e programit bërthamor iranian dhe mbështetjen për grupet aleate të Teheranit në rajon.

“Thesari do të vazhdojë të shkëpusë regjimin iranian nga rrjetet financiare që përdor për akte terroriste dhe destabilizim të ekonomisë globale”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacion që çon në ndërprerjen e mekanizmave financiarë të Gardës Revolucionare Islamike.

Sipas autoriteteve amerikane, Garda Revolucionare përdor kompani guackë për të organizuar dhe përfituar pagesat nga shitjet e naftës iraniane.

Mes kompanive të sanksionuara përfshihen:

  • Hong Kong Blue Ocean Ltd dhe Hong Kong Sanmu Ltd në Hong Kong
  • Ocean Allianz Shipping LLC dhe Atic Energy FZE në Emiratet e Bashkuara Arabe
  • Zeus Logistics Group në Oman
  • Jiandi HK Ltd dhe Max Honor International Trade Co Ltd në Hong Kong
  • Blanca Goods Wholesaler LLC dhe Universal Fortune Trading LLC në Dubai

Sipas Thesarit amerikan, disa prej këtyre kompanive kanë organizuar transportin e naftës iraniane me anije të flotës së sanksionuar “shadow fleet”, ndërsa të tjera kanë blerë miliona fuçi naftë nga Garda Revolucionare gjatë vitit 2025.

Zhvillimi vjen pak ditë përpara takimit të planifikuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut kinez Xi Jinping, ku pritet të diskutohet edhe për tensionet me Iranin dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.