Vendosni fjalën kyçe....

Trump do të vizitojë Kinën për herë të parë që prej 2017-ës



Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të zhvillojë një vizitë shtetërore treditore në Kinë duke nisur nga e mërkura, një vizitë që është konfirmuar zyrtarisht nga Pekini, përcjell Euronews.

Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, vizita do të zhvillohet nga 13 deri më 15 maj, me ftesë të presidentit kinez Xi Jinping.

Gjatë qëndrimit në Pekin, Trump pritet të diskutojë me Xi Jinping për çështjet tregtare, por edhe për Iranin, ku Uashingtoni synon që Kina të përdorë ndikimin e saj për të ushtruar presion ndaj Teheranit për një marrëveshje me SHBA-në.

Trump ka vlerësuar shpesh marrëdhënien e tij me presidentin kinez, duke e cilësuar atë si shumë pozitive.

“Marrëdhënia me Kinën dhe marrëdhënia ime personale me Presidentin Xi janë jashtëzakonisht të mira”, është shprehur Trump më herët në rrjetet sociale.

Megjithatë, SHBA-ja dhe Kina vijojnë të kenë mosmarrëveshje për disa çështje kyçe, përfshirë tarifat tregtare, raportet e Pekinit me Iranin, si dhe tensionet për Tajvanin, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj.

Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar vizitën si me “rëndësi të jashtëzakonshme simbolike”, ndërsa zëvendëssekretarja për shtyp Anna Kelly deklaroi se Trump “nuk udhëton vetëm për simbolikë”, por për të siguruar marrëveshje të favorshme për SHBA-në.

Vizita do të përfshijë një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje, një takim kokë më kokë mes Trump dhe Xi Jinping, si dhe një vizitë në Tempullin e Qiellit në Pekin.

Mbrëmjen e së enjtes do të organizohet një banket shtetëror, ndërsa të premten dy liderët do të zhvillojnë një drekë pune para largimit të presidentit amerikan nga Kina.

Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë në Kinë pas pothuajse një dekade, që nga udhëtimi i Trump në Pekin gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2017.