
Qeveria kineze ka reaguar ndaj vendimit të një gjykate në Londër, e cila shpalli fajtorë dy persona për përfshirje në aktivitete spiunazhi ndaj disidentëve nga Hong Kongu që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell Euronews.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, e cilësoi procesin gjyqësor si një “farsë politike”, duke akuzuar Britaninë për “praktika të gabuara”, ndërhyrje në drejtësi dhe përdorim të çështjes për motive politike.
Sipas vendimit të gjykatës, një ish-superintendent i policisë së Hong Kongut dhe një ish-zyrtar i Forcës Kufitare britanike u shpallën fajtorë për bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjence, pas një procesi disa-javor në Londër.
Hetimet zbuluan se të dy të pandehurit kishin kryer veprime të ashtuquajtura “polici në hije” në territorin britanik, duke ndjekur dhe monitoruar aktivistë pro-demokracisë nga Hong Kongu në mërgim.
Rasti u bë publik pas një operacioni të policisë britanike në vitin 2024, kur u ndalua një tentativë e dyshuar për rrëmbimin e një ish-banoreje të Hong Kongut në veri të Anglisë.
Nga ana e saj, Pekini ka paralajmëruar se do të ndërmarrë “masa të nevojshme” për të mbrojtur interesat e tij, ndërsa Londra e konsideron çështjen si pjesë të hetimeve për ndërhyrje të huaja dhe rrezik ndaj sigurisë së aktivistëve në territorin britanik.