Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare të 8 majit, duke theksuar se situata ekonomike në vend është arsyeja kryesore e reagimit qytetar.
Në një reagim publik, Bardhi u shpreh se Shqipëria prej vitesh po mbetet pas vendeve të rajonit për sa i përket rritjes së pagave, ndërsa qytetarët përballen me kosto të larta jetese.
“Prej të paktën tre vitesh, Shqipëria po e humb me sukses garën rajonale për rritjen e pagave”, deklaroi ai.
Sipas Bardhit, edhe gjatë vitit 2025 paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ka qenë rreth 860 euro, ndjeshëm më e ulët se në vendet e tjera të Ballkanit.
“Punonjësit në Serbi paguhen mesatarisht 1290 euro, në Bosnjë-Hercegovinë 1245 euro, në Mal të Zi 1206 euro dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 1100 euro, pra 30-50% më shumë se në Shqipëri”, theksoi ai.
Ai shtoi se, ndërkohë që pagat mbeten të ulëta, çmimet për ushqimet dhe produktet bazë janë ndër më të lartat në rajon, çka sipas tij ka nxitur një fenomen në rritje të blerjeve jashtë vendit.
“Qytetarët përballen me ushqimet më të shtrenjta në rajon, ndërsa vijojnë të kenë ndër të ardhurat më të ulëta”, u shpreh Bardhi.
Në përfundim, ai e cilësoi ekonominë si “kryearsye” për protestën dhe bëri thirrje për ndryshim politik.
“Në 8 maj, të gjithë bashkë, në protestë kombëtare, për një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve dhe të pa korruptuar”, deklaroi Bardhi.
