Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e Shqipërisë në indeksin e lirisë së medias, Tabaku: Po shkojmë drejt një autokracie elektorale



Publikimi i raportit të fundit të Reporters Without Borders për Indeksin Botëror të Lirisë së Medias për vitin 2026 ka nxitur reagimin e Kryetares së Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, e cila ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës në Shqipëri.

Sipas raportit, Shqipëria ka humbur edhe 3 vende vetëm gjatë vitit të fundit, duke konfirmuar një trend negativ që, sipas Tabakut, është thelluar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Në reagimin e saj publik, Tabaku e cilëson këtë zhvillim si një sinjal alarmi për demokracinë në vend, duke theksuar se Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli “autokracie elektorale”, ku zgjedhjet zhvillohen, por liria e informacionit dhe kontrolli mbi pushtetin dobësohen progresivisht.

Ajo argumenton se rënia në indeks nuk është rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i presionit politik, ekonomik dhe institucional ndaj mediave dhe gazetarëve. Sipas saj, ky presion reflektohet në trajtimin publik të gazetarëve, ndëshkimin e atyre që bëjnë pyetje kritike dhe krijimin e një klime autocensure.

Duke sjellë në vëmendje raste konkrete, Tabaku përmendi ndërhyrjen ndaj një televizioni kombëtar si News24, si dhe sulmet e fundit ndaj gazetarëve, për të cilat – sipas saj – mungon ende një përgjigje institucionale. Ajo bëri të ditur se ka kërkuar një takim urgjent me Ministrinë dhe Prokurorinë për këto çështje, duke theksuar se “heshtja është po aq problem sa dhuna”.

Në analizën e saj, Tabaku nënvizoi gjithashtu se Shqipëria renditet ndër vendet me presionin më të lartë ekonomik ndaj medias, ku reklamat dhe fondet publike përdoren si instrument kontrolli dhe jo si mbështetje për informimin e pavarur.

Në të njëjtën kohë, ajo vuri në dukje se opozita ka dhënë kontribut konkret për mbrojtjen e lirisë së medias. Sipas saj, Partia Demokratike ka propozuar ndryshime në Kodin Penal për të garantuar që legjislacioni të mos cenojë lirinë e shprehjes, duke u bazuar në rekomandimet e organizatave ndërkombëtare, si dhe amendamente për dekriminalizimin e shpifjes në përputhje me standardet europiane.

“Liria e medias nuk mbrohet me fjalë, por me ligj, vullnet politik dhe përgjegjësi,” theksoi Tabaku, duke e cilësuar këtë si dallimin mes një qasjeje që synon kontrollin dhe një tjetër që synon mbrojtjen e medias.

Reagimi i saj vjen në një moment kur raportet ndërkombëtare po e vendosin gjithnjë e më shpesh Shqipërinë përballë sfidave serioze në fushën e shtetit të së drejtës dhe standardeve demokratike.