Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me thikë në Londër, dy hebrenj të plagosur


Dy persona hebrenj janë plagosur me thikë në një sulm të ndodhur në lagjen Golders Green, një zonë me komunitet të madh hebre në Londër, ndërsa një i dyshuar është arrestuar nga policia.

Sipas organizatave të sigurisë komunitare, autori u pa duke vrapuar i armatosur me thikë dhe duke tentuar të sulmonte anëtarë të komunitetit hebre.

Ai u neutralizua fillimisht nga vullnetarë të organizatës Shomrim dhe më pas u arrestua nga policia, e cila përdori një armë elektrike për ta ndaluar, sipas Ynet

Sulmi është dënuar ashpër nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili e cilësoi atë si një akt të rëndë antisemit.

“Sulmi antisemit në Golders Green është jashtëzakonisht i neveritshëm. Sulmet ndaj komunitetit hebre janë sulme ndaj Britanisë”, deklaroi Starmer, duke falënderuar gjithashtu organizatat dhe policinë për reagimin e shpejtë.

Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar, pas një serie sulmesh të fundit ndaj objekteve hebraike në Londër, përfshirë zjarrvënie në sinagoga dhe mjete të organizatave bamirëse. Autoritetet britanike kanë nisur hetime, ndërsa për disa raste dyshohet për përfshirje të grupeve të lidhura me Iranin.

Organizata Community Security Trust ka bërë të ditur se numri i incidenteve antisemitike në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm, duke arritur në rreth 3,700 raste gjatë vitit 2025, krahasuar me 1,662 në vitin 2022.

Kjo rritje e ndjeshme e sulmeve dhe incidenteve ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e komunitetit hebre në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa autoritetet kanë premtuar masa më të forta për të parandaluar dhe ndëshkuar krime të tilla.