Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një autointervistë nga ambientet e paraburgimit në Tiranë, ka reaguar ndaj kritikave që e lidhin me ardhjen në pushtet të Edi Rama në vitin 2013, pas prishjes së koalicionit me Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kalimit në aleancë me të majtën.
Pyetjes nëse është penduar për atë vendim, Meta i përgjigjet prerë, duke theksuar se nuk e ndjen veten përgjegjës dhe se kritikat ndaj tij përdoren për të justifikuar situatën aktuale politike.
“Por nuk mërzitem nga të gjithë ata që i bashkohen ‘fajtorit Meta’ për të justifikuar ‘status quo’-në”, u shpreh ai.
Meta deklaroi se akuzat ndaj tij nuk janë të reja, duke kujtuar se edhe më parë është fajësuar për zhvillime politike, si krijimi i Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2005, që sipas kritikëve solli në pushtet Sali Berisha. Ai shtoi se këto narrativa injorojnë zhvillimet e brendshme në Partia Socialiste e Shqipërisë dhe përjashtimet e figurave të njohura nga kjo forcë politike.
Në vijim, Meta kritikoi edhe demokratët, duke theksuar se ata janë mësuar të kërkojnë fajtorë jashtë vetes. Duke iu referuar ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ai tha se për 10 vite opozita nuk arriti të ofronte një alternativë dhe, sipas tij, i dha të gjitha pushtetet Ramës.
“Mirë e prisha unë me Ramën në 2013, po ju mos e ndritët me Lulin për 10 vite në krye që ia dhuruat të gjitha pushtetet Ramës?”, u shpreh Meta.
Ai renditi gjithashtu disa nga arritjet që i konsideron personale në karrierën e tij politike, duke përmendur rritjen ekonomike mbi 8% gjatë periudhës kur ishte Kryeministër dhe hapësirën që, sipas tij, i është dhënë opozitës gjatë kohës që drejtonte Kuvendin.
Meta theksoi se, edhe në kushte të një Parlamenti monopartiak, nuk ka shkelur Kushtetutën dhe interesin publik.
Në përfundim, ai e cilësoi këtë periudhë si një moment reflektimi dhe projektimi për të ardhmen, duke shtuar se “kohët më të mira edhe Ilir Meta edhe shqiptarët i kanë përpara”, ndërsa theksoi se nuk mund të ketë begati pa sakrifica.
A jeni i penduar që sollët Edi Ramën në pushtet në 2013?
E di se socialistët më fajësojnë se në 2005 më krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim solla Berishën në pushtet. Por ata harrojnë Kongresin e “kongresmenëve” dhe të përjashtimit tim dhe shumë personaliteteve si Limos Dizdari, Sabit Brokaj, etj. Po kështu, kam përshtypjen se harrojnë se Parti Socialiste ku njerëzit dëgjoheshin kishte për aq kohë sa pjesë e tyre ishte Ilir Meta.
Po kështu, harrojnë se PS me Nanon bllokoi integrimin, të cilin e zhbllokoi vetëm rotacioni i vitit 2005. Ndërsa demokratët janë mësuar të gjejnë fajtorë të jashtëm papushim. Unë këtyre demokratëve do u thoja se mirë e prisha unë me Ramën në 2013, po ju mos e ndritët me Lulin për 10 vite në krye që ia dhuruat të gjitha pushtetet Ramës?
Por nuk mërzitem nga të gjithë ata që i bashkohen “fajtorit Meta” për të justifikuar “status quo”-në.
Jam krenar që në 27 muaj si Kryeministër, Shqipëria pati rritje ekonomike mbi 8%.
Jam krenar që gjatë drejtimit tim si Kryetar i Kuvendit, opozita kurrë nuk ka patur aq hapësirë.
Se nuk donte Luli të jepte alternativën e tij për Reformën Administrativo-Territoriale, ky nuk është faji i im, por pazari i tij me Ramën për Lezhën dhe Pogradecin.
Jam shumë krenar që edhe pse i vetëm me një Parlament monopartiak prej 122 kartonash, kurrë nuk e shkela Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, interesat kombëtare dhe interesin publik.
Kjo është një periudhë reflektimi por mbi të gjitha projektimesh të mëdha për të ardhmen.
Kohët më të mira edhe Ilir Meta edhe shqiptarët i kanë përpara.
Por nuk ka Begati pa Sakrifica.
