Vendosni fjalën kyçe....

Mbreti Charles III në Shtëpinë e Bardhë, vizitë zyrtare në kuadër të 250-vjetorit të SHBA



Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III, mbërriti në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë zyrtare, ku u prit nga presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump, së bashku me Mbretëreshën Camilla, përcjell Euronews.

Vizita zhvillohet në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përfshin një sërë takimesh dhe eventesh zyrtare.

Gjatë qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë, çifti mbretëror mori pjesë në aktivitete simbolike, përfshirë një vizitë në kopshtet jugore, ku u prezantua një koshere bletësh e vendosur së fundmi, në përputhje me interesin e njohur të mbretit për mjedisin dhe qëndrueshmërinë.

Kjo është vizita e parë shtetërore e Charles III në SHBA që pas marrjes së fronit në vitin 2022. Më herët, nëna e tij, Elizabeth II, kishte zhvilluar disa vizita shtetërore në SHBA.

Në vijim të axhendës, mbreti dhe mbretëresha do të marrin pjesë në një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, si dhe në aktivitete të tjera përkujtimore dhe ceremoniale. Ai pritet gjithashtu të mbajë një fjalim para Kongresit amerikan, një moment i rrallë për një monark britanik.

Pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë, çifti mbretëror mori pjesë edhe në një pritje në ambasadën britanike në Uashington.