Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani është i kënaqur nga bashkëpunimi me Rusinë në nivelet më të larta, duke shprehur mirënjohje për solidaritetin e Moskës, përcjell Fox News.
Pas një takimi me presidentin rus Vladimir Putin, Araghchi theksoi se zhvillimet e fundit kanë dëshmuar thellësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
“I kënaqur të angazhohemi me Rusinë në nivelet më të larta në një moment kur rajoni po përjeton ndryshime të mëdha. Ngjarjet e fundit kanë treguar forcën e marrëdhënies sonë strategjike. Ndërsa kjo marrëdhënie vijon të rritet, jemi mirënjohës për solidaritetin dhe mirëpresim mbështetjen e Rusisë për diplomacinë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ambasadori i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia, mbrojti qëndrimin e Iranit dhe akuzoi vendet perëndimore për standarde të dyfishta.
Ai deklaroi se Irani ka të drejtë të kufizojë lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit në kushte lufte, duke theksuar se një shtet bregdetar mund të marrë masa sigurie në ujërat e tij territoriale.
Nebenzia shkoi më tej duke akuzuar vendet perëndimore për “hipokrizi” dhe madje i krahasoi ato me piratë, duke pretenduar se po përpiqen të fshehin veprime të paligjshme pas justifikimeve politike.
Këto deklarata vijnë pasi Rusia dhe Kina kanë bllokuar më herët këtë muaj një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit që synonte garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
