Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm me ekipin e sigurisë kombëtare për strategjinë ndaj Iran, pak para se të presë në Shtëpinë e Bardhë mbretin britanik King Charles III.
Takimi vjen në një moment bllokimi të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit. Trump deklaroi se SHBA nuk do të zhvillojë më bisedime në Pakistan, duke theksuar se nëse Irani dëshiron dialog, duhet të afrohet vetë.
Refuzimi i kompromisit nga ana e Teheranit, veçanërisht për programin bërthamor, si dhe kushti i tij për heqjen e bllokadës detare amerikane, kanë çuar në ngërç diplomatik.
Sipas mediave amerikane, administrata Trump po bëhet gjithnjë e më skeptike për suksesin e negociatave, ndërsa në të njëjtën kohë shpreh optimizëm për efektin e bllokadës detare, e cila sipas presidentit po i shkakton Iranit humbje të mëdha ekonomike, duke i bllokuar të ardhurat nga eksporti i naftës, përcjell Ynet.
Një propozim i ri i paraqitur nga Irani gjatë fundjavës, që parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqjen e bllokadës dhe vijimin e bisedimeve bërthamore, është refuzuar nga SHBA pasi nuk përmbush “vijat e kuqe” të vendosura nga Trump.
Presidenti amerikan kërkon dorëzimin e uraniumit të pasuruar dhe ndalimin e pasurimit për të paktën 20 vite.
Ndërkohë, në Rusi, presidenti Vladimir Putin priti ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Gjatë takimit, Putin bëri të ditur se kishte marrë një mesazh nga udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, dhe i dërgoi atij urimet më të mira.
Sipas raportimeve, Khamenei është plagosur në fazën fillestare të konfliktit dhe ndodhet i fshehur për arsye sigurie. Putin theksoi se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Iranin dhe marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve.
“Rusia do të bëjë gjithçka për interesat e Iranit dhe vendeve të tjera të rajonit”, citohet të ketë thënë Putin, duke shprehur shpresën për stabilitet dhe paqe në rajon.
