Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur deklaratat e tij se forcat amerikane kanë “kontroll total” mbi Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve ku komandot iraniane sekuestruan dy anije kargo.
Sipas Trump, lidershipi në Teheran është aq i përçarë sa nuk dihet se kush po e drejton vendin, ndërsa e cilësoi situatën si një luftë të brendshme mes “radikalëve” dhe “të maturve”, percjell The Guardian.
Megjithatë, pretendimet e presidentit vijnë në një kohë kur një raport i Pentagonit i zbuluar nga Washington Post paralajmëron se pastrimi i rrugëve detare nga minat mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.
Thuhet se rreth 20 mina janë vendosur në ngushticë, disa prej tyre të kontrolluara në distancë, gjë që e bën hapjen e plotë të qarkullimit tregtar një sfidë të vështirë për Marinën e SHBA-së.
“Nuk ka vend për hezitim. Kam urdhëruar marinën amerikane të qëllojë dhe të shkatërrojë çdo varkë që përpiqet të vendosë mina në rrugët ujore”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se ekipet e çminimit po punojnë me kapacitet të trefishuar.
Në aspektin diplomatik, Trump njoftoi se Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të zgjasin armëpushimin edhe me tre javë të tjera, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, marrëveshja me Iranin mbetet e largët.
I pyetur se sa do të priste për një paqe me Teheranin, Trump u përgjigj shkurt: “Mos më nxitoni. Dua të bëj marrëveshjen më të mirë, një që të jetë e përhershme”.
Ndërkohë, çmimi i naftës vijon të qëndrojë në rreth 100 dollarë për fuçi, duke reflektuar frikën e tregjeve globale. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi se bota po përballet me “kërcënimin më të madh të sigurisë energjetike në histori”.
Ndërsa SHBA-ja po tregon forcën duke ndaluar anijet që dalin nga portet iraniane, mbetet ende e paqartë se kur do të garantohet kalimi i sigurt për mjetet tregtare të aleatëve në Gji.
Raportet e fundit mbi shëndetin e liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, konfirmojnë se ai është gjallë dhe “mendërisht i mprehtë”, por po qeveris në fshehtësi për shkak të djegieve të rënda dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale pas sulmit izraelit të shkurtit.
Kjo gjendje e rënduar e liderit duket se ka krijuar një vakum pushteti ku gjeneralët e Gardës Revolucionare po marrin vendimet kryesore të luftës.
