Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon probleme me e-Albania: qytetarët nuk aksesojnë aplikimet për strehim social



Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për mungesën e funksionimit të shërbimeve publike digjitale, duke akuzuar qeverinë se po pengon qytetarët në aksesin ndaj programeve të strehimit social.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, theksoi se aplikimet për fazën e parë të programeve të strehimit social, të hapura nga 20 prilli deri më 19 maj 2026 dhe që kryhen përmes portalit e-Albania, po hasin vështirësi serioze.

Sipas saj, qytetarët raportojnë pamundësi për të aplikuar për shkak të problemeve në komunikimin me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, ndërsa sistemi ka pasur ndërprerje dhe mirëmbajtje të përsëritura.

PD e cilëson situatën si “kolaps të shërbimit”, duke pretenduar se kjo po sjell bllokim aplikimesh, vonesa dhe humbje të të drejtave ligjore për qytetarët.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se janë shpenzuar miliona euro për mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, por sipas opozitës, rezultatet nuk janë reflektuar në funksionimin e tyre.

Partia Demokratike kërkon vënien e menjëhershme në funksion të sistemit të aplikimeve, garantimin e aksesit për qytetarët dhe transparencë mbi fondet e shpenzuara për këto shërbime.