
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime në Kuvend lidhur me ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me zhvillimet në vendet e rajonit.
Sipas saj, ndërsa Mali i Zi po punon për finalizimin e marrëveshjeve që lidhen me mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian, Shqipëria vijon të mbetet e bllokuar në këtë proces prej më shumë se një dekade.
“Raporti i kërkon parlamentit shqiptar të përfshijë opozitën, të ketë një proces ligjor e transparent, jo nga ato që bëni 10 orë ku miratohen ligje pa debat. I kërkohet të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos cenohet reputacioni i SPAK me presion politik”, u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi gjithashtu se çështjet që lidhen me imunitetin për hetime korrupsioni duhet të trajtohen pa mbrojtje politike, duke theksuar se zhvillimet e fundit nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara për integrimin.
“Mali i Zi është duke hartuar marrëveshje për mbylljen e negociatave, por shqetësimi ynë është Shqipëria. Procesi i integrimit ka 12 vite që qëndron i bllokuar”, tha ajo.