Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshje e re Londër–Paris për ndalimin e emigracionit të paligjshëm në Kanalin e La Manshit


Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë arritur një marrëveshje të re trevjeçare për të frenuar kalimet e paligjshme të emigrantëve nëpër Kanalin e La Manshit, përcjell DW.

Sipas marrëveshjes, Franca do të rrisë ndjeshëm patrullimet përgjatë bregdetit të saj, duke shtuar numrin e efektivëve me mbi 50%, deri në 1,400 deri në vitin 2029. Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar do të financojë planin me deri në 766 milionë euro, ku një pjesë e fondit do të jepet vetëm nëse masat rezultojnë efektive.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet nga ministrja e Brendshme britanike Shabana Mahmood dhe ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez.

Masat kryesore përfshijnë:

  • Shtim të pranisë së forcave të rendit, inteligjencës dhe ushtrisë në plazhet e veriut të Francës
  • Krijimin e një njësie të re policore për trazirat me 50 efektivë dhe rritjen e ekipeve hetimore
  • Përforcim të mbikëqyrjes me dronë, helikopterë dhe sisteme kamerash
  • Shtimin e patrullimeve detare dhe të personelit për të ndaluar varkat në det

Kjo marrëveshje rinovon Traktatin e Sandhurstit, në një kohë kur kalimet me varka të vogla kanë arritur nivele rekord. Rreth 41 mijë persona kaluan nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar gjatë vitit 2025, shifra më e lartë që nga viti 2018.

Autoritetet franceze raportojnë se në vitin 2026 numri i mbërritjeve është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë, ndërsa gjatë vitit 2025 janë arrestuar rreth 480 trafikantë. Ndërkohë, qeveria britanike thekson se bashkëpunimi me Francën ka ndalur mbi 42 mijë tentativa kalimi që nga korriku i vitit 2024.