Vendosni fjalën kyçe....

SHBA përdor teknologjinë ukrainase kundër dronëve pas sulmeve iraniane


Ushtria e Shtetet e Bashkuara ka nisur të përdorë teknologji ukrainase kundër dronëve në një bazë kyçe në Arabinë Saudite, në përpjekje për të frenuar sulmet që kanë shkatërruar avionë, ndërtesa dhe kanë shkaktuar viktima, bëjnë të ditur burime për Reuters.

Sipas pesë personave në dijeni të zhvillimeve, në bazën ajrore Prince Sultan është vendosur platforma ukrainase “Sky Map”, një sistem komandimi dhe kontrolli që përdoret për të zbuluar dhe kundërshtuar kërcënimet nga dronët, shkruan Reuters.

Ky zhvillim tregon se Ukrainë ka avancuar ndjeshëm në teknologjitë e dronëve dhe kundër-dronëve gjatë luftës së saj me Rusinë.

Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë mbërritur në bazë për të trajnuar trupat amerikane në përdorimin e këtij sistemi, i cili përdoret gjerësisht për të identifikuar sulme nga dronë, përfshirë ata të tipit “Shahed”, dhe për të organizuar kundërpërgjigje me dronë interceptues.

Baza Prince Sultan, që ndodhet rreth 640 kilometra nga Irani, ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura me dronë dhe raketa që nga fillimi i konfliktit. Analistët theksojnë se përdorimi i teknologjisë ukrainase nxjerr në pah dobësi të hershme në sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore.

“Ka pasur boshllëqe të kahershme në mbulimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të SHBA-së në mbarë botën. Kjo ka qenë e njohur, por nuk është adresuar,” tha Timothy Walton nga një institut kërkimor në Uashington.

Ky zhvillim vjen vetëm një muaj pasi presidenti Donald Trump kishte refuzuar publikisht ofertën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për ndihmë në mbrojtjen kundër dronëve, duke deklaruar: “Nuk kemi nevojë për ndihmën e tyre.”

Përveç “Sky Map”, baza përdor edhe sisteme të tjera mbrojtjeje, përfshirë platformën FAAD të kompanisë Northrop Grumman dhe dronët interceptues “Coyote” të RTX, të cilët mund të shkatërrojnë objektivat ajrore ose të çaktivizojnë elektronikën e tyre.

Megjithatë, burimet thonë se sistemet e reja kanë hasur edhe probleme gjatë testimeve. Në një rast të fundit, një dron interceptues humbi kontrollin dhe u përplas brenda bazës.

Që nga fillimi i luftës, baza është goditur disa herë nga sulme me dronë dhe raketa. Një avion radar i tipit E-3 është shkatërruar, ndërsa disa avionë furnizimi me karburant janë dëmtuar. Në një rast tjetër, është shkatërruar edhe një strukturë që besohet se mbështeste një sistem mbrojtjeje kundër raketave.

Pavarësisht investimeve të mëdha të Pentagonit në teknologji kundër dronëve, zyrtarët pranojnë se nuk ekziston një zgjidhje e vetme.

“Nuk ka një mjet të vetëm që mund të ndalojë çdo kërcënim nga dronët,” u shpreh një zëdhënës i njësisë përkatëse amerikane.

Zhvillimet tregojnë se lufta moderne po shtyn fuqitë e mëdha të adoptojnë shpejt teknologji të reja, ndërsa kërcënimi nga dronët po bëhet gjithnjë e më dominues në fushëbetejë.