Vendosni fjalën kyçe....

Operacion në Shkodër, goditet grupi i shpërndarjes së drogës, 2 në pranga, 1 në kërkim



Policia e Shtetit ka zhvilluar një tjetër operacion në Shkodër, duke goditur një grup të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytet.

Operacioni, i koduar “Target Group”, u realizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me forcat operacionale dhe “Shqiponjat”, pas informacioneve për shitje droge, kryesisht në zona të frekuentuara nga të rinjtë.

Gjatë ndërhyrjes, policia zbuloi një ambient të marrë me qira në lagjen “Manush Alimani”, i cili përdorej për fshehjen, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, N. F., 18 vjeç dhe K. Z., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u kapën me doza të dyshuara kokainë dhe kanabis, të cilat dyshohet se i posedonin me qëllim shitjen.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, L. A., 23 vjeç, i cili dyshohet se kishte marrë ambientin me qira dhe organizonte aktivitetin e paligjshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi të konsiderueshme dozash të lëndëve narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, qese farmaceutike për paketimin e tyre, 5 peshore elektronike, 2 celularë, një armë e ftohtë (shkop metalik), një motomjet që përdorej për këtë veprimtari dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e drogës.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.