
Policia e Malit të Zi ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së dy vëllezërve shqiptarë e një personi të tretë, krim që ndodhi në kryeqytetin e vendit Podgoricë. Në pranga ka rënë 25-vjeçari Vehad Muric, nga Rozhaja, i cili u ndalua pas një operacioni të gjerë policor.
Muric akuzohet se një natë më parë, në lagjen “Stari Aerodrom” të Podgoricës, ka vrarë me armë të ftohtë tre persona: vëllezërit Denis Hoti, 27 vjeç dhe Nezrin Hoti, 34 vjeç si dhe Kenan Miraljemovic, shtetas i Serbisë nga Novi Pazari.
Sipas policisë së vendit fqinj, në këtë fazë të hetimeve janë siguruar prova që e lidhin Muric drejtpërdrejt me ngjarjen, ndërsa puna vijon për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit.