Vendosni fjalën kyçe....

Carney: Lidhjet me SHBA-në janë kthyer në dobësi që duhet korrigjuar



Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se marrëdhëniet e forta ekonomike me Shtetet e Bashkuara nuk janë më një avantazh për vendin e tij, por një dobësi që duhet adresuar, përcjell Euronews.

Në një fjalim të publikuar me video, Carney theksoi se ndryshimet në politikën tregtare të SHBA-së, nën drejtimin e presidentit Donald Trump, kanë sjellë pasoja për ekonominë kanadeze. “Shumë nga pikat tona të forta, të bazuara në lidhjet e ngushta me Amerikën, janë kthyer në dobësi. Dobësi që duhet t’i korrigjojmë”, u shpreh ai.

Carney theksoi se tarifat e vendosura nga SHBA kanë ndikuar drejtpërdrejt te punëtorët në sektorët e automobilave dhe çelikut, ndërsa pasiguria ka bërë që bizneset të frenojnë investimet. “Bota është më e rrezikshme dhe më e përçarë”, tha ai, duke shtuar se tarifat amerikane janë rritur në nivele që nuk janë parë që nga periudha e Depresionit të Madh.

Kreu i qeverisë kanadeze nënvizoi nevojën për të diversifikuar ekonominë dhe për të ulur varësinë nga SHBA. “Nuk mund të mbështetemi te një partner i vetëm i huaj. Nuk mund ta kontrollojmë të ardhmen tonë duke shpresuar se gjithçka do të ndalet papritur”, deklaroi ai.

Ai shtoi se qeveria e tij do të punojë për tërheqjen e investimeve të reja, zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së pastër dhe forcimin e mbrojtjes, si pjesë e një strategjie për ta bërë vendin më të qëndrueshëm ndaj goditjeve të jashtme.

“Shpresa nuk është plan dhe nostalgjia nuk është strategji”, theksoi Carney, duke nënvizuar se Kanadaja duhet të marrë kontrollin mbi sigurinë, kufijtë dhe të ardhmen e saj.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh tregtare mes dy vendeve dhe pas kritikave të mëparshme nga Trump, i cili kishte reaguar ndaj qëndrimeve të Carney për rendin ekonomik global.