
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Gjatë një deklarate për mediat, Haxhiu u shpreh se kjo periudhë është vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje politike. “Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Por, në qoftë se ka vullnet, mund të kryhet brenda shumë pak orësh”, tha ajo.
Ajo sqaroi se nuk është përgjegjëse për të ftuar partitë në tryezë, duke theksuar se kjo po bëhet nga kryeministri Albin Kurti në cilësinë e liderit të shumicës. Haxhiu u bëri thirrje forcave politike që t’u përgjigjen pozitivisht këtyre ftesave, duke theksuar se dialogu është rruga e vetme për të arritur një zgjidhje.
“Takimet mund të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme”, u shpreh ajo.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haxhiu theksoi se kjo nuk është në interes të vendit. “Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, qytetarët nuk i duan zgjedhjet në këtë moment, duke rikujtuar se procesi i fundit zgjedhor është zhvilluar vetëm pak muaj më parë.
Deklaratat e Haxhiut vijnë pas qëndrimit të zëvendëskryeministrit të parë, Glauk Konjufca, i cili më 15 prill u shpreh se zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës. “Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, kishte deklaruar ai.