
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut dhe bashkëpunimit konkret, me fokus në rritjen e lidhjeve ekonomike dhe tregtare si dhe në forcimin e stabilitetit rajonal. Hoxha mirëpriti gatishmërinë e Serbisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.
Postimi i plotë:
Sot, pata një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026.
Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal.
Në këtë kuadër, mirëprita gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.
Nënvizova domosdoshmërinë për të ruajtur, thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive.
Shqipëria mbetet e përkushtuar të investojë në qartësinë e qëndrimeve të saj, në koherencën e politikës së jashtme, si dhe në forcimin e kontakteve mes njerëzve, duke kultivuar një brez të ri me vizion të qartë evropian.
Gjithashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë mbi rëndësinë vendimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, si një kontribut thelbësor për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.