Të paktën 17 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një vale sulmesh masive me raketa dhe dronë nga Russia ndaj Ukraine, në atë që konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës i këtij viti.
Goditjet gjatë natës kanë prekur disa qytete, përfshirë kryeqytetin Kyiv, ku shpërthime dhe zjarre të shumta mbuluan zonat e banuara, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, përfshirë pallate dhe një hotel.
Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko, katër persona, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar, humbën jetën në kryeqytet, ndërsa rreth 60 të tjerë u plagosën.
Në qytetin jugor Odesa u raportuan tetë viktima dhe 26 të plagosur, ndërsa në Dnipro katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi ndërtesat e banimit u përfshinë nga flakët.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare dhe rritje të presionit ndaj Rusisë.
“Nuk mund të ketë normalizim të Rusisë siç është sot. Presioni duhet të funksionojë dhe çdo premtim për ndihmë ndaj Ukrainës duhet të përmbushet në kohë,” deklaroi ai.
Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 100 persona janë plagosur në total, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë dhe numri i viktimave mund të rritet.
Nga ana tjetër, Moska konfirmoi se kishte kryer një sulm “masiv”, duke pretenduar se kishte goditur objektiva energjetike dhe infrastruktura të lidhura me ushtrinë ukrainase.
Ndërkohë, Ukraina njoftoi se kishte neutralizuar dhjetëra raketa dhe qindra dronë, por një pjesë e tyre arritën të godasin objektivat.
Sulme edhe në territorin rus
Në kundërpërgjigje, Ukraina goditi portin e Tuapse në Detin e Zi, ku dy persona humbën jetën, përfshirë një vajzë 14-vjeçare, dhe shtatë të tjerë u plagosën. Sulmi shkaktoi gjithashtu një zjar të madh në një zonë me rëndësi strategjike për eksportet ruse të naftës dhe produkteve të tjera.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar përballet me thirrje të reja për masa më të forta ndaj Moskës dhe mbështetje më të madhe për Kievin.
