Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian kanë finalizuar një marrëveshje që i hap rrugë rikthimit të Britanisë në programin e shkëmbimit studentor Erasmus+, përcjell DW.
Sipas njoftimit zyrtar, mbi 100 mijë persona pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Marrëveshja fillimisht do të jetë njëvjeçare, ndërsa Britania do të kontribuojë me rreth 570 milionë paund për financimin e programit gjatë vitit 2027.
Erasmus+ është programi kryesor i Bashkimit Europian për shkëmbime studentore dhe trajnime, që u mundëson pjesëmarrësve të studiojnë, trajnohen apo të kryejnë praktika në vende të ndryshme të Europës për deri në një vit.
I nisur në vitin 1987 si një program për universitete, ai sot përfshin edhe shkolla, praktikë profesionale, vullnetarizëm dhe sport. Pjesëmarrësit nuk paguajnë tarifa në institucionin pritës, por vazhdojnë të paguajnë tarifat në vendin e tyre të origjinës.
Programi përfshin 27 vendet e Bashkimit Europian, si dhe shtete të tjera si Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni, Serbia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut.
Britania ishte larguar nga programi pas daljes nga BE në vitin 2020, kur qeveria e asaj kohe argumentoi se pjesëmarrja ishte e kushtueshme dhe jo e balancuar në raport me përfitimet.
Rikthimi në Erasmus+ vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë aktuale për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Autoritetet theksojnë se programi ofron mundësi të rëndësishme për të rinjtë, duke ndikuar në zhvillimin e aftësive, përvojës ndërkombëtare dhe integrimit arsimor.
Përveç Britanisë, edhe Zvicra pritet t’i bashkohet programit Erasmus+.
