
Aktori i njohur nga seriali Game of Thrones, Michael Patrick, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, pas një beteje disa-vjeçare me motor neurone disease, përcjell Fox News.
Lajmi u konfirmua nga bashkëpunëtori i tij i afërt në shkrim, Oisín Kearney, i cili e cilësoi aktorin si “një talent të jashtëzakonshëm”, të aftë të përcillte emocione të forta tek publiku.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Naomi Sheehan, njoftoi se Patrick u nda nga jeta më 7 prill në një spital në Irlandën e Veriut, i rrethuar nga familjarë dhe miq.
“Ai u përball me sëmundjen me guxim dhe përulësi. Ishte frymëzim për këdo që e njohu”, u shpreh ajo në një mesazh prekës në rrjetet sociale.
Aktori ishte diagnostikuar me motor neurone disease në shkurt të vitit 2023, një sëmundje që prek sistemin nervor dhe çon gradualisht në humbjen e funksioneve motorike.
Përveç rolit në Game of Thrones, Patrick kishte interpretuar edhe në projekte të tjera si “The Keeper” dhe “This Town”.
Familjarët dhe kolegët e kujtojnë si një artist me energji të jashtëzakonshme dhe një njeri që, pavarësisht sfidave, arriti të jetojë jetën me intensitet dhe optimizëm.