
Një 35-vjeçar është vënë në pranga në Portin e Durrësit, pasi u kap duke transportuar mallra të dyshuara si të kontrabanduara.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve të shtuara në hyrje të territorit, automjeti tip furgon që drejtohej nga shtetasi me iniciale E. B. u kalua për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Gjatë verifikimeve, në mjet u gjetën bizhuteri, produkte kozmetike, veshmbathje, produkte ushqimore, medikamente mjekësore dhe lubrifikantë për automjete, të cilat nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës dhe dyshohet se ishin futur në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve, 35-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa u sekuestruan si prova materiale mallrat dhe automjeti që përdorej për transportin e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.