Irani ka ndërprerë zyrtarisht të gjitha komunikimet e drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm pak orë para skadimit të ultimatumit të Presidentit Donald Trump.
Ky vendim vjen në një moment dramatik, ndërsa raportet nga terreni tregojnë se gra dhe fëmijë po formojnë “mburoja njerëzore” rreth centraleve energjetike dhe urave kryesore në vend.
Sipas “Wall Street Journal”, ndërprerja e kontakteve ka komplikuar në ekstrem përpjekjet diplomatike për të shmangur sulmin masiv që Trump ka paralajmëruar për orën 20:00 (ora lokale e SHBA-së).
Një zyrtar iranian u shpreh se ky veprim synon të përcjellë një mesazh sfide dhe mosmiratimi ndaj kërcënimeve amerikane.
Televizioni shtetëror iranian ka nisur transmetimin e pamjeve ku shihen qindra civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, duke protestuar pranë infrastrukturës kritike.

Kjo lëvizje konsiderohet si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj Trump, i cili shkroi në “Truth Social”:
“Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer më kurrë. Unë nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë.”
Paralajmërimi i Trump për të goditur infrastrukturën civile, përfshirë furnizimin me ujë dhe energji, ka ngritur alarm ndërkombëtar. Ekspertët juridikë thonë se sulme të tilla mund të përbëjnë krime lufte dhe shkelje të qartë të Konventës së Gjenevës.
Situata në Teheran është akoma më e mjegullt për shkak të gjendjes shëndetësore të Liderit Suprem, Ayatollah Mojtaba Khamenei.
Sipas një memoje të fundit të inteligjencës, Khamenei është pa ndjenja dhe “i paaftë për të marrë vendime”, duke ngritur pyetje urgjente se kush po e kontrollon ushtrinë dhe butonin e raketave në këto momente kritike.
Ndërkohë, ndërmjetësit pakistanezë po përpiqen në mënyrë të ethshme të mbajnë hapur një dritare bisedimesh të tërthorta, por koha po mbaron.
Me gratë dhe fëmijët që qëndrojnë përballë objektivave ushtarake, bota pret me ankth nëse Trump do të zbatojë kërcënimin e tij për “asgjësimin e një qytetërimi”.
