
Një operacion i përbashkët mes Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit ka çuar në zbulimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në Pikën Kufitare të Kapshticës.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit u ndalua një shtetas grek, teksa në automjetin e tij u gjetën rreth 34 kilogramë kanabis sativa. Hetimet paraprake treguan se automjeti ishte modifikuar për të krijuar hapësira të fshehta ku ishte vendosur droga, me qëllim transportimin drejt Greqisë.
Operacioni, i koduar “Gorica”, përfundoi me arrestimin në flagrancë të dy shtetasve grekë: Th. K., 48 vjeç, dhe A. M., 34 vjeçe, banues në Greqi.
Automjeti me targë greke u lokalizua gjatë një ndjekjeje operative dhe u kontrollua në vijën e dytë të pikës kufitare, ku pas analizës së riskut u kalua për një kontroll më të detajuar me skaner. Gjatë kontrollit u gjetën 37 pako me lëndë narkotike të fshehura në pjesën e poshtme të mjetit, me peshë totale rreth 34 kilogramë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë parash në euro, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.