
Partia Demokratike ka prezantuar një paketë ligjore për uljen e çmimit të naftës, duke propozuar masa konkrete fiskale që synojnë lehtësimin e barrës për qytetarët dhe bizneset.
Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, u shpreh se Shqipëria ka aktualisht një nga çmimet më të larta të karburantit në Evropë, ku rreth 60–65% e çmimit përbëhet nga taksat. Sipas tij, shteti përfiton rreth 125 lekë taksë për çdo litër nafte të shitur.
Bozdo theksoi se përmes paketës së propozuar, çmimi i naftës mund të ulet nga rreth 220 lekë/litër në minimumi 175 lekë/litër. Ai nënvizoi se kjo do të sillte një lehtësim të menjëhershëm për ekonominë familjare dhe sektorin prodhues.
Paketa ligjore përfshin uljen e taksës së qarkullimit në nivelin e vitit 2013, përpara rritjes së saj nga qeveria, si dhe aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikave të ndjekura në disa vende të Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm parashikon që të ardhurat shtesë nga rritja e çmimeve të përdoren për të ulur barrën fiskale mbi karburantin.
Në deklaratë u ngrit shqetësimi edhe për rezervat strategjike të naftës në vend, të cilat sipas opozitës mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardi i Bashkimit Evropian kërkon një mbulim prej 90 ditësh. Kjo situatë, sipas Bozdos, përbën rrezik për sigurinë energjetike dhe tregon dështim në menaxhimin e rezervave.
Partia Demokratike i bëri thirrje maxhorancës që të miratojë këtë paketë, duke e cilësuar atë si të domosdoshme dhe të zbatueshme, ndërsa theksoi se ulja e çmimit të karburantit është një nevojë urgjente për qytetarët në kushtet e rritjes së kostos së jetesës.