
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vendimit të shumicës socialiste në lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë dhe po mbron aferat korruptive të qeverisë.
Sipas Këlliçit, Rama vendosi të ruajë imunitetin e Ballukut “me forcën e kartonave” në Kuvend, duke treguar se është mbi ligjin dhe i pabarabartë me qytetarët e tjerë. Ai deklaroi se ky vendim sfidon drejtësinë dhe integrimin europian të vendit, duke përshkallëzuar edhe më tej tensionin politik.
“Duke zgjedhur të mbrojë aferat e tij korruptive dhe bashkëpunëtoren më të ngushtë, Edi Rama sfidoi drejtësinë dhe integrimin europian të vendit”, u shpreh deputeti demokrat.
Këlliçi theksoi se vendimi për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme përbën, sipas tij, një akt kundër Shqipërisë dhe një përpjekje për të mbrojtur interesat personale të kryeministrit. Ai shtoi se pengimi i drejtësisë nisi që në momentin kur kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut mbërriti në Kuvend.
Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu shumicën për zvarritje dhe sulme ndaj SPAK, ndërsa tha se Shqipëria nuk e kaloi “testin kritik”, siç sipas tij ishte cilësuar nga Brukseli.
Në fund të reagimit, Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 12 mars para Kuvendit.