Një ekspeditë shkencore në ujërat e thella rreth ishujve karaibikë të territoreve britanike ka zbuluar një botë nënujore të panjohur më parë, përfshirë male nënujore, një “blue hole” gjigant, korale të paprekura nga ndryshimet klimatike dhe krijesa detare që mund të jenë të reja për shkencën.
Studiuesit, të cilët punuan për gjashtë javë me radhë 24 orë në ditë, përdorën kamera dhe pajisje të posaçme që përballojnë presionin ekstrem të ujit për të filmuar deri në rreth 6,000 metra thellësi.
Ekspedita u zhvillua në zonat përreth Ishujve Kajman, Anguilës dhe Turks and Caicos.
Gjatë kërkimit, shkencëtarët zbuluan një mal të madh nënujore në veri të ishullit Little Cayman, i cili ngrihet nga rreth 2,500 metra thellësi deri në vetëm 20 metra nën sipërfaqen e detit.
Pamjet tregojnë një mjedis të pasur me jetë detare, me korale shumëngjyrëshe dhe specie të ndryshme peshqish që lëvizin mes tyre, përcjell BBC.

Ekspedita dokumentoi afro 14,000 organizma detarë dhe rreth 290 lloje krijesash, megjithëse studiuesit theksojnë se kërkime të mëtejshme janë të nevojshme për të konfirmuar disa prej tyre.
Mes zbulimeve janë specie të rralla të detit të thellë, si ngjala pelikan me bisht ndriçues, peshku barreleye me sy tubularë që shikojnë lart për të dalluar prenë, dhe peshku dragonfish me një organ ndriçues nën mjekër.

Shkencëtarët gjithashtu identifikuan një nga reef-et më të shëndetshme dhe më të larmishme në rajon, që duket se nuk është prekur nga sëmundja që po shkatërron koralet në pjesë të tjera të Karaibeve. Ata besojnë se thellësia dhe pjerrësia e malit nënujore mund ta kenë mbrojtur këtë ekosistem deri tani.
Sipas studiuesve, këto zbulime janë vetëm hapi i parë për të kuptuar më mirë ekosistemet e thella të Karaibeve dhe për t’i mbrojtur ato nga kërcënimet e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes.
