
Lufta në Iran po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke përfshirë Gjirin Persik dhe Kaukazin e Jugut, dhe rrit frikën se konflikti mund të përshkallëzohet në një përballje më të gjerë rajonale, përcjell REL.
Arabia Saudite njoftoi se më 7 mars kishte interceptuar një raketë balistike të lëshuar drejt një baze që strehon forcat amerikane, ndërsa Azerbajxhani akuzoi operativë të lidhur me Iranin për sabotim të tubacioneve të naftës dhe objektivave izraelite në vend.
Sulmet ndërkufitare mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani në Liban vazhdojnë, ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se kishin goditur një cisternë nafte me flamur maltez në Ngushticën e Hormuzit duke përdorur dronë shpërthyes. Teherani ka kërcënuar se do t’i “vërë flakën” çdo cisternë perëndimore që përpiqet të kalojë në këtë rrugë jetike tregtare, që transporton rreth një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar në botë.
Presidenti iranian Masud Pezeshkian u kërkoi falje vendeve fqinje që u prekën nga veprimet e Iranit, duke u bërë thirrje të mos bashkohen në sulmet e SHBA dhe Izraelit. Megjithatë, disa orë më vonë, marina e IRGC-së nisi sulme me dron ndaj bazës ajrore amerikane al-Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Azerbajxhan u parandalua një komplot i dyshuar iranian për të sulmuar tubacionin Baku-Tbilisi-Ceyhan (BTC), Ambasadën izraelite në Baku, një sinagoge dhe një anëtar të komunitetit hebraik. Dy shtetas iranianë dhe një azer u dyshuan për kontrabandim eksplozivësh C-4 me udhëzime nga IRGC-ja, dhe për katër të dyshuar u lëshuan urdhërarreste ndërkombëtare.
Sulmet iraniane dhe përgjigjet e SHBA-Izraelit kanë rritur tensionet mbi infrastrukturën energjetike, ndërsa sulmet e dronëve dhe raketave të Iranit kanë prekur bazat ushtarake amerikane dhe objektiva izraelite në rajon, përfshirë Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Arabia Saudite rrëzoi raketën balistike dhe disa dronë që synonin fushën e naftës Shaybah, ndërsa ministri i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman, paralajmëroi Iranin kundër “keqllogaritjeve” të mëtejshme, duke theksuar se këto veprime kërcënojnë stabilitetin rajonal.
Intensifikimi i sulmeve ka tronditur tregjet globale të energjisë: çmimet e naftës Brent u rritën mbi 8% brenda një dite dhe pothuajse 30% që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit.
Në këtë situatë, rajoni përballet me përshkallëzim të konfliktit, kërcënime ndaj infrastrukturës energjetike dhe rrezik për një destabilizim më të gjerë rajonal.